Shkolla e re e Lalmit, gati të presë nxënësit, Veliaj: Pas izolimit, fëmijët rikthehen në klasa dhe mjedise me kushte dinjitoze

12/09/2020 14:44

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Lalmit në Vaqarr, do të nisin këtë vit të ri mësimor në klasa të reja e moderne, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në qendër të Tiranës. Pas shkatërrimit të godinës nga tërmeti i 26 Nëntorit, shkolla është ringritur nga e para në kohë rekord, falë investimit të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën e Çekisë.

“E di që një pjesë e madhe e kolegëve e kanë kaluar verën këtu, kur pjesa tjetër e qytetarëve ishte në plazh, por dua t’ju them bravo ju qoftë! Ia ka vlejtur kjo sakrificë, sepse fëmijët kthehen në një shkollë shumë më dinjitoze, pas një periudhe jo të lehtë për shkak të pandemisë, për t’u socializuar me shokët e shoqet”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Çekisë në vendin tonë, Jaroslav Ludva.

Ai shtoi se me të njëjtat ritme është duke u punuar edhe në shkollat e tjera, të dëmtuara nga tërmeti, për të cilat një ndihmesë e madhe ka ardhur edhe nga donatorët. “U jam shumë mirënjohës kolegëve çekë, Ambasadorit, dhe qeverisë Çeke. Ne kemi shumë shokë dhe falë tyre po bëjmë shkollat në Allgjatë, në Sharrë, ashtu si këtu në Vaqarr. Ne hapim shkollat “1 Qershori” dhe “Jeronim de Rada”, të cilën e bëmë me miqtë tanë nga Katari. Do hapim edhe disa shkolla të tjera rurale, kukemi bërë disa shtesa. Lajmi i mirë për shkollën e “Lalmit” është se edhe parashkollori do të ofrohet në një mjedis shtesë. Është një mënyrë fantastike se si një nënë lirohet nga përgjegjësia për ta mbajtur fëmijën në shtëpi dhe duke e sjellë në parashkollor, mund të punojë në një zonë si Vaqarri, e cila po lulëzon”, theksoi kryebashkiaku.

“Ka një traditë bashkëpunimi midis Ambasadës Çeke dhe Bashkisë së Tiranës. Pas tërmetit, situata këtu ishte shumë keq. Donim të jepnim ndihmën tonë, ndaj jam shumë i kënaqur që shkolla është rindërtuar”, u shpreh ambasadori i Çekisë në Tiranë, Jaroslav Ludva.

Ndërsa, deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se, “ditën e hënë, edhe fëmijët e Lalmit do të kenë të njëjtën shkollë, si çdo fëmijë tjetër në Tiranë”. “Ne po ia dalim që investimet të jenë me të njëjtat standarde, si brenda në qytet, ashtu edhe në fshat. Këta fëmijë po shikojnë t’iu realizohet një jetë ndryshe sepse, jo vetëm do të kenë një shkollë me standarde shumë të mira, ambiente shumë të mira, mësimdhënie shumë cilësore, por nuk do të kenë asgjë ndryshe nga fëmijët e tjerë që janë në qytetin e Tiranës,” deklaroi Gjylameti.

Kryebashkiaku Veliaj iu bëri thirrje qytetarëve, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta në shtëpitë e tyre nga tërmeti i 26 Nëntorit, të tërheqin pagesat e përcaktuara për riparimin e dëmeve, të cilat u miratuan në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

“Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë nënshkruar kontratat, të paraqiten në Postë për të marrë paratë. Kaluam edhe një listë me 1500 pagesat e tjera të tërmetit, ku qytetarët e Vaqarrit do të gjejnë emrin, të shkojnë në njësinë administrative, të bëjnë kontratën dhe ne t’ju japim paratë, t’i gjejë Viti i Ri shëndoshë në lagjet e reja që kemi bërë. Siç thoshin gjyshet tona, jo çdo e keqe vjen për keq. Ndonjëherë, një fatkeqësi apo sfidë, na sjell mundësi për t’i bërë gjërat shumë herë më mirë dhe shumë herë më të forta” deklaroi ai.

Investimi në shkollën e re të Lalmit përfshin riorganizimin e hapësirave përreth saj, duke filluar nga hapësirat çlodhëse, vendosja e stolave dhe koshave, ndërtimin e një fushe basketbolli, si dhe asaj të futbollit, që do të mund të përdoren pasdite nga komuniteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA