Shqipëria zhgënjeu totalisht ndaj Lituanisë dhe nuk mund të bënte ndryshe as kapiteni Elseid Hysaj, i cili jo vetëm që bëri shumë pak për të ndihmuar skuadrën, por e la edhe me një lojtar më pak në minutat e fundit.
Në intervistën për Supersport, shkodrani pranoi se ndeshja u komplikua shumë pasi kundërshtarët ishin shumë agresivë dhe të fortë fizikisht.
Një mbrëmje e errët sot, krahasuar me dy ditë më parë. Ku gaboi Shqipëria sot?
Gabuam në fazën e zhvillimit të sulmit, pasi nuk kemi krijuar asnjë rast shënimi. Edhe kundërshtari luajti mirë, por nuk krijoi shumë raste.
Mendoni se mund ta evitonit kartonin e kuq?
Një arbitër duhet të jetë me shumë eksperiencë për të kuptuar çfarë ndodh në fushë. Një nga kartonët mund të ishte i evitueshëm, por ne po merrnim shumë shqelma në pjesën e parë.
E kishit studiuar Lituaninë?
E dinim që ata luajnë shumë mirë me topin, por vuajtëm edhe në aspektin fizik, pasi shumë prej nesh nuk e kemi nisur kampionatin dhe na mungojnë minutat në këmbë.
A treguan të rinjtë si Laçi e Mihaj se janë ambientuar me skuadrën?
Ata, por edhe të tjerë bënë një ndeshje të mirë, por duhet kohë për t’u ambientuar dhe për t’u bërë pjesë e lojës.
Top Channel