Pamjet/ Rikthehen fitimtarë, Kombëtarja mbërrin në Tiranë!

05/09/2020 12:37

Sapo ka mbërritur kombëtarja në Tiranë.

Pas një sfide të përmbyllur me sukses ndaj Bjellorusisë, lojtarët janë parë të buzëqeshur në Rinas.

Shqipëria mori një fitore komode dhe me vlera në Minsk ndaj Bjellorusisë në debutimin e këtij edicion të nations league, dhe 3 pikët në favor të kuqezinjve me nga një gol për çdo pjesë në transfertën më të vështirë të parashikuar, e bëjnë më të lehtë fushatën në futbollin kontinental.

Pas plot 10 muajsh mungesë, me një formacion të improvizuar por sulmues, trajneri Edoardo Reja diktoi avantazhin dhe Cikalleshi e Manaj iu afruan në minutat e para. Sulmuesi kavajas përmirësoi shënjestrën brenda fraksionit të parë, kur me një goditje fluturimthi nga distanca befasoi portierin Gutor, madje e bëri këtë pa parë kuadratin fare, pas topit nga Hysaj.

Kuqezinjtë ishin superiorë edhe pas pushimit por u mungoi pasimi final, e për të dyfishuar iu desh pak fat. Keidi Bare arriti të tundë për herë të dytë rrjetën e bjellorusëve kur goditja e mesfushorit të Malaga u devijua nga mbrojtja, duke nxjerrë jashtë loje portierin Gutor. Shqipëria administroi avantazhin e pastër në pjesën e mbetur, e tani pret e qetë impenjimin në shtëpi. Armata e trajnerit reja rikthehet në Air Albania Stadium për tu përballur me Lituaninë, rivali tjetër i grupit në këtë edicion të Kupës së Kombeve.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel