Bjellorusi, protestuesit mblidhen para rezidencës së Lukashenkos

30/08/2020 18:49

Dhjetëra mijëra bjellorusë duke thirrur “Gëzuar ditëlindjen o mi” dhe me flamuj kuq e bardhë në duar, u mblodhën të dielën afër rezidencës së Presidentit Aleksandër Lukashenko, ndërsa protestuesit vazhdojnë trysninë që ai të japë dorëheqjen.

Lukashenko, i cili mbushi 66 vjeç të dielën, po përpiqet të frenojë protestat, të cilat vazhdojnë që nga zgjedhjet e 9 gushtit dhe për të cilat kundërshtarët e tij thonë se ishin të manipuluara.

Ai mohon se ka patur mashtrim elektoral dhe thotë se protestat janë mbështetur nga jashtë.

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një telefonate për t’i uruar ditëlindjen, e ftoi Lukashenkon të vizitojë Moskën, një shenjë e gatishmërisë së Kremlinit për ta mbështetur atë, ndërsa ai përballet me trazirat dhe kërcënimin e sanksioneve të reja perëndimore.

“U ra dakord të zhvillohet një takim në Moskë në javët e ardhshme,” tha Kremlini në një deklaratë, pas telefonatës së dy udhëheqësve të dielën.

Protestuesit marshuan nëpër qendër të Minskut, duke mbajtur balona, lule dhe flamuj.

Bjellorusia kishte një flamur në ngjyrat bardhë – kuq – bardhë për një periudhë të shkurtër në fillim të viteve 1990 dhe ai është bërë tani simbol i protestave antiqeveritare.

Makinat që kalonin u binin borive në shenjë solidariteti. Disa vajza u shtrinë në tokë në shenjë proteste ndaj një kordoni sigurie të policisë me helmeta.

Protestuesit më pas u grumbulluan në rezidencën e Lukashenkos, e cila ruhej nga forcat e sigurimit që mbanin mburoja, pompa uji dhe furgonë për transportimin e të arrestuarve.

Një kolonë automjetesh të blinduara ushtarake ishte parë duke lëvizur drejt qendrës së qytetit, sipas agjencisë së lajmeve Interfax të Rusisë.

Policia bëri ndalime sporadike gjatë gjithë ditës, duke i futur njerëzit me forcë nëpër furgona.

Të paktën 125 persona u arrestuan, sipas agjensisë ruse të lajmeve RIA, që citonte ministrinë e Brendshme.

Disa protestues u panë t’i rezistonin arrestimit nga ana e personave që duket të ishin policë me veshje civile.

Gjithashtu të dielën, media vendase tregonin pamje të disa grave me veshje tradicionale që vendosnin kunguj para ndërtesës kryesore të qeverisë, një zakon popullor që simbolizon refuzimin ndaj kërkesës së një mashkulli për martesë.

Një nga operatorët më të mëdhenj celularë të vendit, A1, tha se kishte kufizuar kapacitetin e komunikimit në internet me kërkesë të qeverisë.

Bjellorusia është aleati më i ngushtë ish-sovjetik i Rusisë dhe territori i saj është pjesë e strategjisë ruse të mbrojtjes. Megjithatë, Lukashenko është parë nga Moska si një aleat irritues.

Presidenti Putin tha të enjten se Kremlini ka ngritur një “forcë policore rezervë” me kërkesë të Lukashenkos, e cila do të dislokohej vetëm nëse do të ishte e nevojshme. Deklarata është shenja më e spikatur deri tani e gatishmërisë së Rusisë për të ndërhyrë në mbështetje të Lukashenkos.

Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë sanksione të reja kundër Bjellorusisë.

Të premten, Lukashenko, i cili vazhdon të qëndrojë në krye të vendit prej 26 vjetësh, kërcënoi se do t’i ndërpresë Evropës rrugët e kalimit nëpër Bjellorusi si kundërpërgjigje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA