Shërbimi zjarrfikës do të shndërrohet në një trupë të reagimit të shpejtë dhe profesionale.
Strategjia e transformimit u prezantua sot nga kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në mjediset e Shërbimit Zjarrfikës te “21 Dhjetori”. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh krenar për faktin se shërbimi zjarrfikës i Tiranës cilësohet si model në strategjinë e re të qeverisë.
“Na duhet jo vetëm të rrisim kapacitetet tona, por edhe emancipim, si për stafin tonë në bashki, ashtu edhe për Ministrinë e Brendshme. Jemi shumë krenarë dhe mezi presim që këtë strategji ta çojmë deri në fund. Shembullin më të mirë si investim po e bëjmë në Kinostudio, aty ku hodhëm themelet për një stacion të ri dhe një shërbim model, i cili mund të përdoret si shembull edhe për bashkitë e tjera”, tha Veliaj.
Me fillimin e sezonit të ri arsimor, shërbimet zjarrfikëse të Tiranës do të rinisin trajnimet e në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Kryebashkiaku solli në vëmendje risinë e shërbimit zjarrfikës vullnetar, të cilin Tirana është qyteti i parë që e ka zbatuar. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kenë më shumë kujdes gjatë periudhës së verës, kur temperaturat janë të larta, për të shmangur problematikat me zjarret.
Top Channel