Rusi, 115 të vdekur dhe mijëra raste të reja me COVID-19

26/08/2020 14:37

Numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Rusi ka arritur në 970.865, ndërsa bilanci i viktimave në 16.683.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se me 4.676 raste të reja numri i rasteve ka arritur në 970.865, ndërsa me 115 vdekje në 24 orët e fundit numri i viktimave në 16.683. Ndërkohë numri i të shëruarve ka arritur në 786.150 me 6.403 të shëruar në 24 orët e fundit.

Norma e rritjes ditore e numrit të rasteve në Rusi është në 0,5 për qind dhe tek 26,8 për qind e rasteve të reja nuk janë vërejtur simptoma. Në kryeqytetin rus Moskë, në 24 orët e fundit janë shënuar 640 raste të reja, me çka numri i tyre është rritur në 259.070, ndërsa me 11 vdekje të reja, numri i viktimave në kryeqytet u rrit në 4.764.

Shërbimi i Mbrojtjes së Shëndetit të Njeriut dhe të Drejtave të Konsumatorit në Rusi tha se në 24 orët e fundit janë kryer 245 mijë teste ndërsa numri i testeve të kryera deri më sot tejkalon shifrën 35,1 milionë. Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u regjistrua më 31 janar ndërsa vdekja e parë më 19 mars. Masat kundër pandemisë në vend filluan në fund të muajit mars.

Në disa pjesë të vendit u lehtësuan masat për shkak se u regjistrua rënie e numrit të rasteve. Bashkë me këtë u bë e detyrueshme vendosja e maskave dhe dorezave në ambiente të mbyllura dhe të frekuentuara. Kufizimi i daljes në rrugë në Moskë, që filloi më 30 mars, u hoq më 9 qershor.

Pasi më 27 mars ndaloi të gjitha fluturimet ndërkombëtare në kuadër të masave kundër COVID-19, Rusia ka rifilluar në mënyrë të ndërsjellë fluturimet ndërkombëtare me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Tanzaninë dhe Zvicrën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA