COVID-19/ Zyrtari amerikan kërkon ndjesë për ekzagjerimin e vlerave të plazmës konvaleshente

26/08/2020 04:50

Duke iu përgjigjur kritikave nga ekspertët mjekësorë, Stephen Hahn, kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, FDA, kërkoi ndjesë të martën se kishte mbivlerësuar vlerat e plazmës konvaleshente nga pacientë të shëruar nga COVID-19, për të kuruar dhe shpëtuar jetët e pacientëve të tjerë.

Shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë iu kundërvunë pretendimeve lidhur me trajtimin në fjalë, që nga njoftimi i Presidentit Donald Trump të dielën se Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve kishte vendosur të lëshonte autorizim urgjent për plazmën konvaleshente, të marrë nga pacientë e shëruar nga koronavirusi dhe të pasur me antitrupa.

Presidenti e vlerësoi vendimin si një arritje historike edhe pse përfitimet e trajtimit ende nuk janë vërtetuar. Njoftimi një ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan ngriti dyshime se ishte i motivuar politikisht për të shuar kritikat mbi trajtimin e pandemisë nga presidenti. Zoti Hahn i pati bërë jehonë Presidentit Trump duke thënë se nga 100 të infektuar, 35 më shumë do të shëroheshin nga koronavirusi nëse trajtoheshin me plazmë. Pohimi mbivlerësoi në mënyrë të tepruar gjetjet paraprake të Klinikës Mayo.

Ndjesa e zotit Hahn vjen në një pikë kritike për agjencinë që ai drejton, e cila nën trysni të fortë nga Shtëpia e Bardhë, është përgjegjëse për të vendosur nëse vaksinat e ardhshme janë të sigurta dhe kanë efekt në parandalimin e COVID-19. Shifra 35% u kritikua nga shkencëtarë të tjerë dhe ish-zyrtarë të FDA-së, të cilët i bënë thirrje zotit Hahn të tërhiqte komentet.

“Jam kritikuar për komentet që bëra të dielën në mbrëmje për vlerat e plazmës konvaleshente. Kritikat ishin plotësisht me vend. Duhet të isha shprehur më mirë, të kisha thënë se të dhënat tregojnë një ulje relative të rrezikut, por jo një ulje absolute,” tha zoti Hahn. FDA mori vendimin bazuar në një analizë të Klinikës së famshme Mayo, të bazuar në të dhëna të mbledhura nga spitale në të gjithë vendin, të cilët po e përdornin plazmën në forma nga më të ndryshmet dhe pa bërë krahasime gjatë studimit me një grup pacientësh që nuk kishin marrë trajtim me plazmë për të nxjerrë përfundime për ndikimin e trajtimit me plazmë.

Pacientët që u trajtuan me plazmë me nivelet më të larta të antitrupave rezultuan më mirë se sa ata që morën plazmë me nivele më të ulëta antitrupash. Po ashtu, ata që u mjekuan menjëherë pas diagnostikimit kishin rezultate më të mira se ata që morën trajtim më të vonuar. Zoti Hahn dhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump e interpretuan këtë dallim si një provë absolute e vlerave të plazmës konvaleshente, në vend që ta komentonin si një dallim relativ mes dy grupeve të pacientëve të mjekuar me plazmë. Ish-zyrtarë të FDA-së thanë se ky shtrembërim ishte i pafalshëm, sidomos nga një specialist onkolog si Dr. Hahn.

“Për mua është e pabesueshme që një specialist që ka drejtuar prova klinike të bëjë një gabim të tillë. Ishte e hatashme,” tha Dr. Peter Lurie, ish-zyrtar i FDA-së nën administratën Obama, i cili tani kryeson grupin jo-qeveritar Qendra për Shkencë në Interesin Publik. Përmirësimi prej 35% u përsërit nga Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar në një konferencë për shtyp të shtunën, megjithëse nuk ishte në letrën zyrtare të FDA-së që jepte autorizimin emergjent për përdorimin e plazmës konvaleshente.

Të martën në mëngjes, zoti Hahn iu kundërvu zërave se momenti kur u bë njoftimi për vlerat kuruese të plazmës u zgjodh për të rritur popullaritetin për Presidentin Trump në prag të Kuvendit Kombëtar Republikan. “Specialistët dhe shkencëtarët e FDA-së e morën këtë vendim në mënyrë të pavarur dhe unë i mbështes plotësisht, tha zoti Hahn në emisionin televiziv “CBS This Morning.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA