Nxënësit do të rikthehen në bankat e shkollës me 14 shtator pas shkëputjes 7 mujore prej saj për shkak të situatës së koronavirusit.
Komiteti i ekspertëve në Ministri te Shëndetësisë ka miratuar udhëzuesin me masat anticovid në institucionet arsimore për vitin e ri shkollor.
Pas matjes së temperaturës dhe dezinfektimit të duarve në hyrje të shkollës, nxënësit dhe mësuesit të pajisur me maska për të hyrë brenda në klasa duhet të respektojnë gjithashtu edhe distancën. Nga mësuesi te nxënësi 2 metra, ndërsa nxënësit nga njëra bankë te tjera 1.5 metra si në këtë rast.
Ndërsa për nxënësit që shfaqin simptoma të sëmundjes lajmërohet mjeku i shkollës nëse ka, në të kundërt mjeku i familjes dhe më pas njësia vendore e kujdesit shëndetësor. Nga strukturat vendore duhet të sigurohet ujë i rrjedhshëm, sapun i lëngshëm dhe solucion me përqindje alkooli 60 gradë dhe klasat duhet të dezinfektohen çdo ditë. Dritaret do të duhet të mbahen të hapura, ndërsa dera e shkollës e mbyllur ku nuk do të lejohen daljet e nxënësve deri në përfundim të mësimit, si dhe as qëndrimet e tyre në korridore për të shmangur kontaktet me nxënësit e klasave të tjera. Prindërit do të paraqesin në rrugë elektronike formularin ditor të vetëdeklarimit për gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre dhe për çfarëdo arsye nuk do të lejohet hyrja e tyre brenda mjediseve të shkollës.
Rikthimi i nxënësve në shkollë sipas udhëzuesit sjell nevojën për më shumë mësues si dhe klasa për zhvillimin e orëve mësimore . Për këtë ministria e arsimit po mendon ndarjen e nxënësve në grupe për të zhvilluar mësimin në tre turne dhe më pas duke e kombinuar me mësimin në distancë, online për lëndët që nuk cilësohen si parësore.
Top Channel