Nga droga te dhuna ndaj prindërve/ Kapen në Tiranë 2 shtetas në kërkim kombëtar, arrestohen dhe 3 persona të tjerë

11/08/2020 09:41

Janë kapur dhe ndaluar në Tiranë 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar, si dhe janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit S. A., 26 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ndërkohë, specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit G. B., 39 vjeç, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me dy muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 26 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve dhe ndaj të fejuarës së tij, si dhe ka kanosur punonjësin e Policisë së rendit publik, për shkak të detyrës.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. G., 49 vjeç, pasi në fshatin Mëzez, ka vjedhur në banesën e shtetasit S. Sh.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. N., 34 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën Vorë-Rinas, ka aksidentuar mjetin motor me drejtues shtetasin H. T., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA