SHBA/ Gjykatësi urdhëron dorëzimin e pamjeve të protestuesve tek autoritetet

30/07/2020 02:53

Vendimi i një gjykatësi në qytetin Seattle që detyron gazetën “The Seattle Times” si dhe katër televizone lokale të dorëzojnë në polici imazhet e papublikuara të protestave “Black Lives Matter”, po ngre pikëpyetje të reja rreth pavarësisë dhe besueshmërisë së mediave.

Më 23 korrik, Gjykatësi Nelson Lee, i Gjykatës së Lartë të kontesë King, vendosi në favor të departamentit të policisë të qytetit, i cili kërkon të detyrojë mediat të zbatojnë një kërkesë të paraqitur muajin e kaluar për protestat që u shndërruan të dhunshme në datën 30 maj. Ligje të posaçme, të mbiquajtura ligjet “mburojë”, ushtrohen për të mbrojtur gazetarët nga shumica e kërkesave të tilla, me përjashtim të materialeve të konsideruara kyçe në një hetim penal. Në këtë rast, gjykatësi tha se policisë i duhen materialet për të identifikuar të dyshuarit në hetimet e çelura për zjarrvënie dhe vjedhje armësh.

Mbrojtësit e shtypit të lirë thonë se vendimi mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për të drejtat e parashikuara në amendamentin e parë të kushtetutës amerikane. Të paktën një mediaje tjetër – Cleveland’s Plain Dealer – iu bë një kërkesë e ngjashme në qershor për materiale në lidhje me protestat. Që nga viti 2017, kur Matësi i Lirisë së Shtypit në Shtetet e Bashkuara filloi të dokumentojë sulmet dhe kërcënimet ndaj mediave, autoritetet kanë dërguar fletëporosi ose kanë marrë materiale nga 79 gazetarë. Projekti menaxhohet nga Fondacioni për Lirinë e Shtypit në emër të një koalicioni të aktivistëve të fjalës së lirë, organizatave të lajmeve dhe grupeve të mbrojtjes së gazetarisë.

“Unë jam i shqetësuar nga vendimi i gjykatësit”, i tha Zërit të Amerikës, Ken Paulson, drejtori i Qendrës për Lirinë e Shprehjes në Universitetin e Shtetit Tennessee. “Ata nuk e dinë se çfarë përmbajnë ato foto dhe video. Është thjesht spekulim se mund të identifikohet dot ndonjë person”. Gazetarët zakonisht janë një ndihmë për protestuesit sepse mbulimi i lajmeve sjell mesazhin e protestës për një audiencë më të gjerë, tha zoti Paulson. Për më tepër, vëmendja publike mund të kufizojë abuzimin e mundshëm nga organet e zbatimit të ligjit, tha ai. Por këto lloj vendimesh mund t’i ndryshojnë këto perceptime.

“Çfarë ndodh, nëse si në këtë rast, protestuesit fillojnë të mendojnë për gazetarët jo si vëzhgues neutralë, por si një zgjatim i policisë?”, pyeti zoti Paulson. “Kur protestuesit mendojnë se gazetarët punojnë për policinë, siguria e këtyre anëtarëve të mediave mund të jetë në rrezik”. Madeline Lamo, një juriste për mediat në Komitetin e Reporterëve për Lirinë e Shtypit, tha se vendimi i gjykatës shton rreziqet e mbulimit mediatik të protestave. “Protestat janë tashmë ambienti më i rrezikshëm për punën e gazetarëve në Shtetet e Bashkuara”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Kjo vetëm sa rrit rrezikun në të cilin ndodhen tashmë gazetarët kur shkojnë të punojnë në këto ngjarje”.

Unioni Amerikan i Lirive Civile të Uashingtonit (ACLU) dënoi vendimin në një deklaratë të 23 korrikut. “Në një kohë kur liritë tona themelore po sulmohen, Qyteti i Seattle-it duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i mbrojtur ato liri themelore”, tha ACLU-ja. Çështja gjyqësore u përqendrua rreth argumentit nëse ligji “mburojë” në këtë shtet i mbron gazetarët nga dorëzimi i informacionit. Pothuajse çdo shtet amerikan ka një ligj mburojë, megjithëse mbrojtjet ndryshojnë.

Sipas ligjit të Uashingtonit, gazetarët marrin mbrojtje absolute nga zbulimi i informacionit nga burime konfidenciale. Për lajme ose informacione që gazetarët mbledhin gjatë raportimit të tyre, ligji siguron mbrojtje të kualifikuar duke lejuar që disa prej të dhënave të zbulohen nëpërmjet një fletëporosie, tha zonja Lamo. Një fletëporosi mund të miratohet nëse informacioni është mjaft i rëndësishëm për një çështje, nëse është thelbësore për të provuar një çështje materiale për një kërkesë ligjore ose mbrojtje ligjore, nëse ekziston një interes imponues për informacionin, dhe nëse mënyrat alternative për të marrë informacionin janë ezauruar, tha zonja Lamo.

Në vendimin e tij javën e kaluar, Gjykatësi Lee vendosi se kjo kërkesë i plotësonte të katër kriteret. Gjykatësi vendosi kufij, megjithatë, duke thënë se departamenti i policisë nuk mund ta përdorte videon për të ndjekur të dyshuarit si pjesë e hetimeve që nuk kishin lidhje me zjarrvënien ose vjedhjen e armëve. Ai gjithashtu lejoi marrjen vetëm të filmimeve nga kamerat profesionale, dhe jo telefonat e gazetarëve.

Para këtij vendimi, Komiteti i Reporterëve paraqiti një material të shkurtër në mbështetje të përpjekjeve të pesë organizatave të lajmeve për të anulluar fletëporosinë. Michele Matassa Flores, redaktore ekzekutive e gazetës “The Seattle Times”, tha në fillim të këtij muaji se fletëporosia rrezikonte të dëmtonte besueshmërinë e gazetës. “Ne nuk punojmë së bashku me qeverinë dhe është e rëndësishme për besueshmërinë dhe efikasitetin tonë që të ruajmë pavarësinë tonë nga subjektet që mbulojmë”, tha Matassa Flores. Një avokat që përfaqëson gazetat tha javën e kaluar se nuk kanë vendosur ende nëse do ta apelojnë vendimin./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA