Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut mbajti të hënën një protestë në Shkup me moton “Marshi për Demokraci”.

Marshi është kundër vjedhjes së votave në zgjedhjet e 15 korrikut, thanë drejtuesit e koalicionit opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

“Zgjedhjet më 15 korrik janë zgjedhjet më jodemokratike të organizuara deri më tani. Vjedhja e votës, zhvatja e votuesve, votimi për njerëz që nuk jetojnë, kërcënimi i komisionarëve janë vetëm disa dëshmi për dhunimin e vullnetin të lirë të qytetarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është fitues i zgjedhjeve, por grabitës i vullnetit politik të shqiptarëve”.

“Kjo parti mund të ketë legalitetin që i jep Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, por asnjëherë legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e koalicionit, të lexuar në marshin që nisi nga Çairi dhe përfundoi para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup.

“Kërkojmë nga BE-ja që ta dënojë abuzimin e votës dhe të mos e njohë legjitimitetin e BDI-së. Të reformohet kodi zgjedhor, që vendi të mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Beteja për demokraci do të vazhdojë deri në arritjen e saj. Dymbëdhjetë deputetët tanë do të jenë zëri i shqiptarëve për demokraci. Loja nuk ka përfunduar, pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së lirë do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit përfundimtar. Nëse kërkesat tona shpërfillen, ne do të vazhdojmë me të gjitha format e protestës”, tha Afrim Gashi, kryetari Alternativës.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, drejtoi akuza kundër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar si “hartues të manipulimit të procesit zgjedhor”.

“Ata [KSHZ] vetëm legjitimë nuk janë. Ata që përgatitën vjedhjen, mund t’i quajnë legalë, por legjitimë asnjëherë. Legjitimiteti, mbi të gjitha, kërkon t’i respektosh të vdekurit dhe jo t’i shfrytëzosh për të votuar. Do të mbrojmë lirinë dhe të drejtën e shqiptarëve për të jetuar këtu në këtë vend”, tha Sela.

Ky koalicion pretendon se manipulimi i votave është bërë në veçanti në rajonin e Kërçovës, por edhe në vendbanime të tjera.

Në këtë zonë, e cila i takon njësisë së pestë zgjedhore, ka qenë dallimi më i madh në vota – rreth 11 mijë në favor të BDI-së – ndërkohë që në të gjitha njësitë tjera rezultati ishte pothuajse i barabartë.

Drejtuesit e koalicionit opozitar thonë se është e pamundur që në të gjitha vendvotimet e kësaj zone, opozita të mos merrte thuajse asnjë vote – gjë që, sipas tyre, dëshmon vjedhjen e votës.

Nga BDI-ja thonë se pretendimet e opozitës nuk janë gjë tjetër por përpjekje për të fshehur disfatën në zgjedhje.

KSHZ-ja, ndërkohë, zgjedhjet i vlerësoi të rregullta dhe demokratike dhe i refuzoi si të pabaza rreth 1,400 ankesa të koalicionit opozitar.

BDI-ja, në zgjedhjet e 15 korrikut, ka fituar rreth 103,000 vota apo 15 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa opozita shqiptare rreth 86,000 vota apo 12 mandate./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA