Mohamed Salah tremb tifozët e Liverpoolit. “Ylli” egjiptian i “The Reds”, i cili luajti një ndër rolet kryesore në suksesin historik të skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp këtë sezon (fitoi titullin e Premier League-s), deklaroi se mund të largohet nga “Anfield”. 28-vjeçari, në një prononcim për “LA FM Columbia” u shpreh:
“Thjesht dua të shijoj momentin. Askush nuk e di të ardhmen dhe se çfarë do të ndodhë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Kam fituar Premier League-n me Liverpoolin, Championsin … jam i lumtur.”
Egjiptiani u bashkua me Liverpoolin nga Roma në vitin 2017 dhe tani ka fituar katër trofe gjatë tri viteve magjike në Merseyside. 19 golat dhe 10 asistimet e sulmuesit kanë qenë vendimtarë për të ndihmuar kuqezinjtë të bëhen kampionë të Premier League, por sërish nuk është i sigurt se për sa kohë do të qëndrojë në “Anfield”. Pavarësisht kësaj deklarate, Jurgen Klopp e ka në qendër të projektit të tij të paktën edhe për sezonin e ardhshëm, teksa kërkon të vijojë me tituj të tjerë të rëndësishëm.
Salah dhe Mane, janë përfolur më parë parë për një transferim të mundshëm te Real Madridi, por Liverpool nuk ka gjasa t’i shesë këtë verë, aq më tepër kur kriza e Koronavirusit i ka vënë në vështirësi financiare klubet e mëdha, që duket se kanë hequr dorë nga “çmenduritë” e merkatos.
Top Channel