Polici akuzohet se kap nga gjoksi të arrestuarën e prangosur në SHBA

09/07/2020 21:29

Një oficer i bardhë policie në SHBA është regjistruar në video duke prekur në mënyrë të pahijshme gjoksin e gruas së prangosur që po arrestonte, teksa pamjet u shpërndanë gjerësisht në rrjet dhe gruaja dëgjohet që thotë: “Kërkoj një police femër.”

Video e incidentit është shikuar më shumë se 9 milionë herë, por përsëri policia e Austin tha në një deklaratë se veprimet e policit nuk përbënin abuzim seksual.

Gjatë arrestimit të 40-vjeçares Rosalinda Nuno Trevino në Austin, Texas, shihet oficeri që prek gjoksin e saj dy herë me duar gjatë “kontrollit për armë”.

“Mos e prek ashtu atë,” dëgjohet në sfond një kalimtar që i thërret policit.

Më pas gruaja kërkon “një oficere femër”, por polici në mënyrë provokuese e prek përsëri në gjoks.

Në pamje shihet që polici e rreh butë në kurriz dhe më pas nxjerr atë që duket si një letër nga xhepat e saj të pasmë.

Trevino ishte arrestuar për shkelje qarkullimi rrugor, ndërsa në deklaratën e policisë thuhej se në atë moment nuk kishte oficere femra.

Më tej në deklaratë thuhej “Policia është në dijeni të videos që po qarkullon mbi arrestimin e 40-vjeçares Rosalinda Nuno Trevino. Teksa njerëzit po grumbulloheshin, oficerët e kontrolluan gruan para se të dërgonin në paraburgim, dhe e njoftuan se nuk kishin oficere femër të gatshme në moment. Pamjet dokumentojnë se ishte prezent dhe një oficer tjetër. Manuali i policisë thotë se kontrolli i oficerëve kryhet me dinjitet dhe mirësjellje”.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel