Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar për vrasjen e Hekuran Billës, i cili u qëllua me breshëri, mbrëmjen e 11 qershorit pranë Komunës së Parisit, në Tiranë.
Të premten, në pranga ra Adjola Lakra, 26 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me Viktor Markun dhe Sebastian Malin, dajë e nip, të dy me arrest në burg për vrasjen e Billës.
Burime nga policia bëjnë me dije për Top Channel, se 26 vjeçarja Lakra është përdorur si karrem nga Sebastian Mali. Ka qenë pikërisht ajo e cila kishte krijuar njohje me Hekuran Billën dhe mbrëmjen e ekzekutimit, kishte lënë takim me këtë të fundit pranë qendrës tregtare aty ku edhe ai u qëllua.
Kjo i ka dhënë mundësi Viktor Markut dhe Sebastian Malit, që të ishin në dijeni për lëvizjet dhe rrugën që do të ndiqte viktima, që siç kuptohet edhe nga kamerat e sigurisë, dyshimet janë që krahas makinës që autorët përdorën për ekzekutimin, automjeti i Billës ndiqej nga një tjetër makinë.
Ashtu siç Top Channel ka raportuar, Sebastian Mali, kishte lënë makinën Smart që ai përdorte,në një servis në Laprake, dhe kishte marrë një Nissan Micra, makinë për të cilën grupi hetimor ngre dyshimet se është përdorur për të ndjekur viktimën.
Ndërkaq, policia thotë se po punon për kapjen e të tjerë personave të përfshirë në ngjarje, pasi dyshimet janë që autorët pasi u larguan në drejtim të Pezës për të djegur automjetin e tyre, ka qenë dikush tjetër që i ka marrë me makinë.
Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, i cili u vra në Angli nga Hekuran Billa. Marku, u arrestua në Mal të zi dhe nga kryqja e sistemit TIMS, ai rezulton se ka dalë nga Shqipëria në datën 19 janar, por megjithatë një dëshmitar në Shkodër ka thënë se ai i ka dhënë Markut një makinë me qera të llojit smart.
Adjola Lakara e cila nxori në pritë Hekuran Billën,do të përballet me drejtësinë për veprën penale, vrasje me paramendim, por bashkëpunëtorët e saj, Marku dhe Mali, në seancat gjyqësore të zhvilluar ndaj tyre, kanë mohuar të kenë qenë ata autorët e ngjarjes, por gjykata i la, dajë e nip në burg. /Andi Bora/
Top Channel