Disa orë pasi George Floyd-it iu dha lamtumira e fundit, vëllai i tij i drejtoi një thirrje emocionuese Kongresit për të mos lejuar që “vdekja e tij të mbetet thjesht një tjetër emër në listën gjithmonë e më të gjatë të afro-amerikanëve të vrarë nga policia”.
Philonise Floyd foli para Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku kërkoi të ndalet “dhimbja e njerëzve me ngjyrë, e shkaktuar prej forcave të rendit”.
“Jam i lodhur. Jam i lodhur nga dhimbja që ndiej në këtë moment, dhe jam i lodhur nga dhimbja që ndiej çdo herë që një person me ngjyrë vritet pa asnjë arsye. Jam këtu për t’ju kërkuar që ta ndaloni. Ndaloni dhimbjen. George kërkoi ndihmë dhe u injorua. Ju lutem dëgjojeni thirrjen që po e bëj tani, thirrjen e familjes sonë dhe thirrjet nga rrugët e botës”, u shpreh Philonise Floyd.
Vdekja e Floyd-it nën gjurin e policit të bardhë Derek Chauvin ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në SHBA, ku episode të tilla kanë ardhur në rritje vitet e fundit. Episodi u filmua nga kalimtarët dhe u shpërnda në internet. Këtë javë, kryetari i Komitetit për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, tha se “për çdo incident nga forca e tepërt që përbën tituj, e vërteta e shëmtuar është se ka të tjerë të panumërt për të cilët nuk dëgjojmë kurrë.”
“Ky është një problem sistematik që kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse”, deklaroi ai.
Top Channel