SHBA: Marrëveshja për ‘Zgjedhoren’ do iu japë besim shqiptarëve, masa depolitizimi do hyjnë në fuqi…

05/06/2020 21:20

Nëpërmjet ambasadës në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar për marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.

Sipas asaj që shkruhet në reagimin e ambasadës Amerikane në Tiranë, kjo marrëveshje është e mirëpritur, forcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe e çon Shqipërinë përpara në rrugën e saj evropiane.

Më tej në reagim thuhet se: Të gjitha palëve iu desh të bënin lëshime në mënyrë që populli shqiptar të mund të përftojë garanci të reja, të tilla si identifikimi elektronik i votuesve, i cili mbron integritetin e kutisë së votimit.

Reagimi i plotë:

Mirëpresim marrëveshjen ndërpartiake për reformën zgjedhore në Shqipëri, e cila forcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe e çon Shqipërinë përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo marrëveshje është rezultat i orëve të gjata, diskutimeve të ndezura, si dhe vendimeve të vështira nga anëtarët e Këshillit Politik Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasili. Të gjitha palëve iu desh të bënin lëshime në mënyrë që populli shqiptar të mund të përftojë garanci të reja, të tilla si identifikimi elektronik i votuesve, i cili mbron integritetin e kutisë së votimit.

Marrëveshja po ashtu ndërmerr hapa për të depolitizuar administrimin zgjedhor në Shqipëri, duke siguruar më shumë transparencë dhe pavarësi më të madhe të personelit të zgjedhjeve. Disa masa depolitizimi do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa disa masa shtesë do të hyjnë në fuqi menjëherë më pas. Së fundi, kjo marrëveshje duhet t’iu japë shqiptarëve më shumë besim në mbikqyrjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet përfshirjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun. Kjo piketë e rëndësishme u arrit sepse udhëheqësit e Shqipërisë lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe punuan për të prodhuar një rezultat të prekshëm për popullin shqiptar.

Përgëzojmë Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për udhëheqësinë e tyre. Shprehim vlerësim për zërin e rëndësishëm të Presidentit Meta, i cili i nxiti të gjitha palët që të arrinin konsensus. Udhëheqësia e tyre, përkrah asaj të Kryetarit të Kuvendit Ruçi, do të jenë me rëndësi teksa reforma e dakordësuar miratohet nga Kuvendi dhe vihet në zbatim. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin fort këto përpjekje. Do të vazhdojmë ta mbështesim fort aspiratën e Shqipërisë për të qenë anëtare e plotë e familjes evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA