Të dielën , Gjykata e Posaçme i komunikoi Luan Dacit, anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, masën e pezullimit nga detyra, vendim ky i marrë që në datën 20 Maj. Luan Daci, u mor në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme, për veprën penale, falsifikim i dokumentave, pasi ai në aplikimin e tij në vitin 2017, për ty bërë pjese e KPA-së, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij më herët është marrë një masë disiplinore “Largim nga puna”.
Pas përfundimi të seancës, avokati i Luan Dacit, Jordan Daci, u shpreh se klienti i tij, në rastin në fjalë nuk ka kryer asnjë vepër penale:
Një gjyqtar që ka statusin e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pezullohet, dhe është jashtë kritereve, dhe këtë pezullim mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese, ose Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga ana tjetër masa për të cilën ai është pushuar nga puna është shuar me disa ligje. Që me ligjin e 2008-s, për gjyqësorin por edhe me ligje të tjerë të mëparshme dhe për rrjedhojë ai nuk ka asnjë vepër penale.
Avokati tjetër i Luan Dacit, Andi Duraj, tregon se cila ka qenë pika kyçe e problemit me të mbrojturin e tij.
Thelbi i problemi ka qenë a e konsideronte ai veten si person ndaj të cilit një masë disiplinore ishte shuar apo jo. Dhe sigurisht për 1001 argumente dhe jo për analogji ligjore, ne këto fakte i kemi thënë saktë dhe qartë para gjykatës. I mbrojturi prej nesh ka kaluar pesë komisione dhe filtra. Me besoni, të cilat nuk janë thjesht formale.
Luan Dacit, anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,në vitin 1997, kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës, i është komunikuar Largim nga puna për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Për këtë arsye Gjykata e Posaçme, vendosi pezullimin e tij nga detyra, por avokatët thonë se vendimin, për të mbrojturin e tyre, do ta ankimojnë.
Top Channel