Cili është personazhi ynë sot ?

Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë që zhvillojnë karrierën e tyre jashtë atdheut. Në një klimë të gjallë intelektuale mes kulturës franceze dhe belge, ai hyri me një autoritet të pabesueshëm. Me një arsimim të plotë, ai paraqet një sërë krijimesh rreth natyrës njerëzore me një force të tillë, saqë vargu i tij, së fundi, mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë më mbresëlënës të kohës. Skënder Sherifi, lindi në Kosovë, më 16 tetor 1954. I ati Shpend Sherifi ishte Oficer i Mbretit Zog me origjinë nga Tropoja. I burgosur nga Regjimi komunist i Enver Hoxhës, 1946 – 1951.

Ndërsa nëna Xhevahire Sadria ishte shqiptare nga Mali i Zi – nga fshati Vuthaj, Plavë dhe Guci. Mistike e Sufiste që themeloi dhe inauguroi Tyrben ose Teqenë e zotit Sheh Ahmet Shkodra në Shkodër. Autori ishte në moshën një vjeçare, kur familja e tij emigroi në Bruksel, si refugjatë politikë, me 1 gusht 1956. U diplomua në vitin 1980 me titullin Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë frënge. … Nga viti 1992 e në vazhdim, ka punuar në arsim, fillimisht si Profesor i Marrëdhënieve Publike, në shkencat e komunikimit, në U.F.I. ( Universiteti Frankofon International ) në Bruksel, por dhe në disa shkolla të mesme të Belgjikës frankofone – i emëruar Profesor i gjuhës frënge dhe i edukatës civile apo qytetare nga Ministria e Arsimit në Bruksel. Jeton dhe vepron në Bruksel, i martuar me një shqiptare, dhe ka një djalë aktualisht 12 vjeçar, Rafaelin.

S. Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd? 

Skënder Sherifi: Së pari ka ndikuar vepra poetike e Artur Rembosë, të cilin e kam përjetuar si një revolucion të poezisë moderne botërore dhe për nga profili i tij adoleshent, si një vëlla shpirtëror simbolik … i cili jeton përsëri me mua, dikund në shpirtin tim. Por dhe Bodleri e disa të tjerë … pastaj më ka mahnitur Albert Kamy, me romanin “I huaji” dhe “Murtaja”. I dyti super aktual në kontekstin e të somtmes. Pastaj Jean-Paul Sarter me «Neverinë » dhe romanin « Fjalët » … Louis Ferdinand Celine «Voyage au bout de la Nuit ». Më kanë pas interesuar, nga ana e tyre pak profetike dhe paralajmëruese, romanet e Aldous Huxhley : « Le Meilleur des Mondes » ose « Bota ideale » dhe libri «1984» me autor Georges Orëell. Dhe në kontekstin aktual, janë vepra të cilat na flasin, si « Murtaja » e Kamy-së ! Pra, në cilën shoqëri jemi, dhe në cilën po shkojmë? Çfarë është duke u përgatitur për ne në të ardhmën ? Ç’ka do vijë pas koronavirusit? Si do organizohen shtetet dhe shoqëritë njerëzore … në bazë të cilave kritere?

Më ka pëlqyer edhe ata amerikanë si Jack Kerouak dhe Alan Ginsberg, të cilin e kam pasur dikur edhe shok të mirë nëpër Paris … Librat e psikoanalizës të Freud, Jung, Wilhelm Reich për t’ua gjetur disa përgjigje, problemeve të mia gjatë adoleshencës …  Pra, kjo ka qenë pothuaj baza e parë.

S. Cili është libri që aktualisht po lexon?

Skënder Sherifi: Kam lexuar Eric Emmanuel Schmidt, një roman mbi nënën e tij, dialogun apo marrëdhëniet që ka zhvilluar me të autori … një libër i fuqishëm, bindës, me plot thellësi dhe emocion, dhe po sa e kam mbaruar një biografi rreth 600 faqesh të ish mikut tim parisian, Marek Halter, një intelektual humanist i angazhuar në të gjitha kauzat e drejta të njerëzimit. Ai ka pasur një jetë eksponencionalisht të pasur dhe të rrallë! Dhe një libër të pluhërosur që e kam blerë në rrugët e Brukselit për 1 euro nga një shitës i improvizuar. Ishin poezitë thuajse të fillimit, të autorit të njohur francez Michel Houellebecq … me një dëshprim, cinizëm dhe nihilizëm absolut që në atë kohë. Më ka bërë për të qeshur! Por zakonisht, unë lexoj sipas çka më dikton intuicioni. Nuk e kam asnjë program të paracaktuar … jam si Bleta, të cilën e tërheq kjo lule apo tjetra, sipas formës, parfumit, për arsye misterioze ose nevoja freudiane.

S.: Po libri që të ndryshoi jetën? Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?

Skënder Sherifi: Libri që ma ka ndryshuar jetën, është Vepra poetike e Artur Rembosë sepse isha një adoleshent plot revolta, konfuzione e çrregullime të ndryshme, me një potencial të pasur brenda tij, por bruto, të egër, dhe të pa menaxhuar. Pra, vepronte më tepër instinkti, subkoshienca sesa vetëdija dhe kontrolli. E kjo shkaktonte pastaj mjaft probleme praktike në jetën e përditshme. Nuk e dija se ç’ka doja dhe sesi të shprehesha? Dhe pikërisht Remboja (i cili kishte shkruar veprën e tij mes moshës 16 – 20 vjeç) më tërhoqi, më dha të kuptoj se fjala poetike ka një fuqi misterioze dhe magjike. Dhe fillova dhe unë të shkruaj në moshën 14 vjeçare, si art-terapi. Kështu që, e kam konsideruar Arturin si një vëlla simbolik të madh kurse paralelisht më tërhiqte edhe bota e filmit dhe e ëndërroja veten regjisor. Bile edhe sot, unë notoj rregullisht mes librit dhe filmit, dhe nuk mund të them se kush më pëlqen më tepër? Pastaj vjen muzika dhe artet plastike! Por është Remboja ai që më ka stimuluar për të shkruar …. Pa asnjë dyshim!

M.S. Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?

Skënder Sherifi: Për mua 80 % e librave, mos më tepër, janë të mbivlerësuara pa të drejtë legjitime letrare (nëse nisemi parimisht nga një analizë rigoroze e veprës, dhe çka mund të na sjellë si element origjinal, apo çfarë inovacioni na ofron në artin letrar?) Për mua, nëse i fut të gjitha veprat e botuara sot apo nesër, apo gjatë gjithë vitit 2019 – 2020 në këtë skaner dhe i analizon me kritere profesionale objektive 90 % e tyre, bien automatikisht poshtë. Me logjikën e tregut, por edhe të vetë profesionit, ngaqë duhet për t’i bërë qejfin çdo kategorie të lexuesve, si atyre të plazheve apo stacioneve të trenit, me Barbara Kartland apo Daniel Steel, si atyre mesatarë apo elitarë …  Pra, nuk mund të botohen vetëm kryevepra emblematike të artit letrar sepse pastaj të gjitha shtëpitë botuese do mbyllin dyert dhe do falimentonin. Mund të citoj plot autorë të tillë, shoë men and shoë ëomen, të cilët janë bërë karikatura e vetvetës dhe në këtë kategori, konkurojnë mjaft persona, sikurse Amelie Nothomb p.sh., të cilët funksionojnë sipas kritereve komerciale të rretheve të influencës, të një sur-ekspozimi mediatik permanent, ngaqë e kanë krijuar me kohën. Por pyetja në fund është: çka i sjellin realisht, profesionalisht dhe objektivisht letërsisë? Me çka e pasurojnë? Sa peshon konkretisht vepra e tyre, nëse futet në një skaner profesional kritik? Tani, dihet mirë që jemi në shoqërinë e spektaklit, e jo të mendimit filozofik … dhe pse shesin libra, marrin çmime miqësore dhe fiktive. Cfarë çmimesh kanë fituar Remboja, Bodleri, e plot të tjerë? Por sot, figurojnë në Historinë e Letërsisë botërore! A është shitja dhe suksesi siperfaqësor mediatik, një kriter serioz për ta lënë një gjurmë të pavdekshme në artin letrar? Si Prusti p. sh., Borgesi, Herman Hessi, Stefan Zëeig, apo Philip Roth-i, me një vepër reale të fuqishme. Për autorët e vërtetë autentikë është një mjerim dhe një padrejtësi e madhe dhe e pafalshme.

S. Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?

Skënder Sherifi: Një libër me një përmbledhje tekstesh të humoristëve francezë Pierre Desproges dhe Raymond Devos. Ata kanë një humor aq inteligjent, të rafinuar, kurrë vulgar e bazik, por me referenca të shumta kulturore, dhe shihet qartë që kanë një bagazh kulturor mjaft të konsoliduar. Më bëjnë për të qeshur me plot zemër dhe spontanisht pa u sforcuar fare.

S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Skënder Sherifi: Kam pasur problem me stilin e të shkruarit të Marcel Prust-it, edhe pse është një gjeni absolut i romanit francez. Me autorët madhorë të romanit rus, sepse ishin tepër voluminoz dhe klasik për mua … me përjashtim të Dostojevskit. Unë kam përzemër ritmin e shpejtë dhe të natyrshëm. Jam më tepër një sprinter si Usain Bolt në 100 metër vrapim … dhe nuk i dua shumë maratonet letrare voluminoze, të cilët nuk përfundojnë kurrë! Edhe James Joyc-i më ka shpëtuar nga duart … sado që e kanë mbivlerësuar … unë nuk e kam pa se ku qendron gjenialiteti i tij? Kurse e kam kuptuar te Prusti, edhe pse nuk kam qenë tepër entuziast për nga ndjenjat apo shijet e mia personale. Tek e fundit nuk jemi të detyruar për ta dashur absolutisht, sepse janë autorë gjigantë (dhe janë) as Viktor Hugo-n, po as Shekspirin, nëse nuk na prekin shpirtërisht dhe nuk na flasin neve. Është si një takim dashurie, i dështuar me një mashkull apo një femër! Por është procesi  i jetës normale. Kur e takon një autor dhe veprën e tij, ti ke vetëm një kriter të thjeshtë … a më flet mua, a më plotëson mua, a më përgjigjet mua sot për sot, qysh jam … apo jo?

S. Libri që ju vjen shumë turp që se keni lexuar ende?

Skënder Sherifi: Jo nuk më vjen turp për asnjë vepër të panjohur apo të palexuar … Sepse nisem nga principi që nuk e kam njohur më parë, ose nuk kam qenë i mirëinformuar ; ose e kam njohur teorikisht por kam pasur prioritete të tjera. Ose nuk ma ka diktuar zëri im  i brendshëm, apo intuicioni, për t’iu drejtuar asaj vepre … pra, nuk e kam ndier nevojën për të hyrë në komunikim me të! Ritmet e jetës shpirtërore janë sikurse ritmet e natyrës apo të stinëve … duhet me i lënë të lëvizin siç duan lirisht, pa i devijuar nga rruga apo drejtimi i tyre spontan!  Do ketë me siguri ca autorë, artistë me plot merita dhe vlera të cilët ndoshta nuk do i takoj kurrë.

S. Libri më i hershëm që keni lexuar?

Skënder Sherifi: Nuk më kujtohet … por janë ato të fillimeve, poetët francezë, italianë, spanjollë e amerikanë. Romancierët me Kamy-në, Sarter-in, Gide, Mauriac, Flaubert, Zola, Hugo, Chateaubriand, Prusti, Celini, Latino-amerikanët, Pessoa, disa rusë, por më pak … Nuk jam shumë rusofil në art, si shumë prej intelektualëve dhe autorëve shqiptarë aktualë … jam produkt i kulturës evropiane e asaj amerikane si bazë … edhe pse më interesojnë disa autorë apo regjisorë rus, sikurse Tarkovski. Për mua, epiqendra e arteve botërore është evropiano- amerikane … e jo ruso-sllave! Është kriter artistik, kriter shije dhe vlerësimi … dhe absolutisht jo kriter ideologjik. Arti është liria absolute dhe nëse përzihet me politikë apo ideologji, dijeni që ka mbaruar arti! Mos harroni që gjithë rrymat e mëdha artistike, filozofike kanë lindur në Evropë dhe në Amerikë … por jo në Rusi as në Kinë!

S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?

Skënder Sherifi: Dhuroj çfarë më qëllon në bibliotekë, dhe çfarë kam lexuar vetë, sipas personalitetit të personit të cilit do ja ofroj këtë dhuratë, shijeve të tij … por e improvizoj, duke e pa se çfarë kam në shtëpi … sepse adoleshent kam jetuar me 3.500 libra në bibliotekën time private, saqë nuk kisha as vend, për t’i vendosur. Kështu që i kam ofruar shumicën prej tyre tani, për miqësi, dhe nganjëherë edhe për humanitet. Kur kanë festa, ditëlindje, e shoqëroj për femrat me një lule dhe disa çokollata, dhe për meshkujt me një verë të mirë franceze. Më kujtohet miku im Jusuf Vrioni në vitet 1990-91-92, kur më merrte në telefon: “ Oh, Skënder të lutem a po vjen në shtëpinë time për ta shijuar me mua, në mënyren alla franceze, një verë të madhe Bourgogne apo Bordeau, me disa djathëra, që filan personalitet i Parisit m’i ka dërguar, sepse nuk e di këtu në Tiranë, viti zero, se me kënd, mund t’i shijoj tamam ?“ Ha … ha … ha … ha … gaz i madh atë kohë!

 

Top Channel