Pastrimi i liqenit të Viroit/ Projekti synon t’i hapë rrugë sporteve ujore

19/05/2020 12:33

Në Gjirokastër ka filluar pastrimi i liqenit të Viroit që është një prej atraksioneve kryesore natyrore pranë qytetit.

Pastrimi i liqenit prej bimësisë shpresohet ti japë jetë shumë aktiviteteve sportive të ujit megjithatë sfidë madhore mbetet furnizimi me ujë përgjatë gjithë vitit i liqenit artificial.

“Agjencia e Shërbimeve Publike me një plan të mirëmenduar ka ndërhyrë në pastrimin e parkut si moment i parë. Në vijim do të vendosim portat bllokuese të ujit për ta bërë më të gjatë ciklin e këtij liqeni artificial dhe do të kthejmë sytë edhe nga bimësia që dora e njeriut e ka dëmtuar. Është menduar nga ana jonë që krahas burimit ujor të Skotinisë që po e furnizon liqenin nëpërmjet Mëmës ne do të kthejmë një degëzim të lumit të Kardhiqit për ta pasur me ujë 12 muaj. Një ekip specialistësh është në dispozicion të Viroit jo vetëm për të ndërhyrë tek territori rreth liqenit por në të gjithë parkun me sipërfaqe 50 ha.” tha Ylli Muho kreu i Agjencisë.

Megjithëse liqeni i Viroit ende kërkon investime kapitale duket se është një atraksion për tu vizituar. Së shpejti do të ketë këtu shëtitje me varkë ndërsa është e mundur të vëzhgohen edhe zogjtë që krijojnë ndalesa në ishuj të vegjël që gjenden përgjatë liqenit.

”  Kemi një sfidë, ta bëjmë 12 muaj me ujë sepse në Gusht, Shtator përgjithësisht thahet, kërkon një investim por ne do bëjmë maksimumin si bashki dhe në momentin që aktivitetet e lejuara do të jenë më shumë në natyrë, bizneset janë ofruar dhe duan ta kthejnë Viroin në pikën e duhur për tu çlodhur por edhe për tu kënaqur për banorët e qytetit por edhe turistët që ne i presim dhe i ftojmë.” tha kryetari i bashkisë Flamur Golemi.

Një prej burimeve kryesore karstike ai i Mëmës që ka një lidhje natyrale me Skotininë ka qenë një prej atraksioneve kryesore të zhytësve përgjatë viteve të fundit. Edhe këtë vit kjo do të jetë një mundësi jo vetëm për zhytësit profesionistë por edhe për ata që duan të krijojnë një eksperiencë unike në këtë atraksion natyror.

Liqeni i Viroit me sipërfaqe 17,5 ha është shpallur monument natyre që prej vitit 1982.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA