Kemi nisur në rubrikën e Vitrinës së Librit një kolonë me titullin “Librat që më bënë mua”. Kjo është një mënyrë për të gëzuar në këto ditë të zymta ngujimi, por dhe një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, veç leximit, të dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së ndonjë filmi.

Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues, për të luftuar të keqen, që sot ndihet më shumë se në një botë të lirë. Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publikë mbi atë çfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Nuk e di nëse kjo rubrikë mund të shkojë përtej kohës së ngujimit të të gjithëve, por një gjë e di me siguri. Kjo është një rubrikë që në një kohë të ardhme do t’u shërbejë jashtëzakonisht lexuesve të rinj, për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e tyre të hershme, si janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën ata lexues sot. Personazhi ynë sot është:

Flutura Açka

E lindur në qytetin e Elbasanit, ku kaloi edhe tridhjetë vitet e para të jetës. Për shkak të kohës në të cilën kaloi fëmijërinë e parë dhe rininë e saj nën diktaturë, u detyrua të studionte ekonomi (1988) dhe vite më pas kapërcyellit të viteve 90-të, atëherë kur thuajse ishte poeteshë e njohur, studioi letërsi. Vëllimi i parë poetik “Tri vjeshta larg” u botua në vitin 1993, dhe nga ajo kohë ka botuar gjashtë romane dhe një numër edhe më tw madh vëllimesh poetike. Është e pranishme për publikun shqiptar edhe me qasjet e saj të shpeshta publicistike. Kritika letrare, veçmas ajo e huaj, e ka cilësuar si një stiliste, mbiemocionale, përcjellëse e ekos së ngjashme me sagat e vjetra ballkanike dhe një rrëfimtare cilësore që vjen nga shqipja.

S.: Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?

Flutura Acka: Janë në të vërtetë disa autorë që kanë ndikuar mjaft gjatë viteve të ndryshme. Në rininë e parë, i vetmi që më tërhoqi mes shqiptareve, ishte padyshim Kadare, por me hapjen kjo tërheqje u konkurrua shpejt nga autorë që deri atëherë ishin të ndaluar. Migjeni është autori shqiptar që besoj se do ta lexoj gjithë jetën me të njëjtën dashuri si herën e parë. Libri që më tronditi kur isha vetëm 11 vjeçe, ishte “Tej fasadës” i Arqibald Kroninit, të cilin, të jem e sinqertë, në disa fragmente nuk e kuptova fare. Libra si këto ia merrja sime mëje nga komodina, ajo ua merrte hua disa mikeshave të saj. Leximi i Coetzee, Kafkës, Gordimer, Lispector, dhe veçmas Nabokov e Woolf, më bënë të mos ndjehesha kurrë e kënaqur nga ajo që shkruaja, të tillë autorë të bëjnë modeste dhe të përgjegjshëm si shkrimtar. Pamuk, Dostojevski, Littel, Oz apo Franzen, më mësuan çelësat e prozës së gjatë. Gogol, Servantes, Houellebecq, më mësuan bisturinë e sarkazmës, sikurse Jonker, Achebe apo Ondaatje lidhjen e fortë me tokën tënde. Ka aq shumë yje, për njohjen me të cilët nuk na mjafton jeta.

S.: Cili është libri që aktualisht po lexon?

Flutura Acka: Në duar në këto çaste kam “After the quake” të Hakuki Murakami, të cilin autori e shkroi pas tërmetit të vitit 1995 në Kobe, ka në të katër novelëza ku përfshihen histori njerëzish të zakonshëm në kushtet e traumës që vjen nga e pazakontja. Në kushtet e ngujimit nga Covit-19, e shoh këtë libër si të shkruar mbi reminishencat e shndërrimit që i jep botës gjëma.

S.: Po libri që të ndryshoi jetën?

Flutura Acka: Mund ta them pa drojë, ishte romani “Unë jam e kuqja” e Orhan Pamuk. Në tetorin e vitit 2006, në javën e shpalljes së Nobelit, këtë roman prej mbi 500 faqe e kisha gati dhe prisja për t’ia vënë ballinën. E dija se ishte një autor shumë i mirë, por si ta bindja lexuesin shqiptar? Çmimit Nobel ishte në njëfarë mënyre një lloj konfirmimi i asaj këmbënguljeje për të sjellë në shqip një autor shumë të mirë bashkëkohor, por për një lexues që i ka sytë nga Europa, do ta kisha më vështirë. Romanin e tij “Jeta e re”, Pamuk e hap me frazën, “Lexova një libër dhe jeta ime ndryshoi”, njëlloj edhe unë “Takova Pamuk dhe jeta ime ndryshoi”, që do të thotë unë isha më e besueshme me veprat që zgjidhja, që lexoja, që pëlqeja vetë, por që edhe ia sillja vitrinës shqiptare.

S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar?

Flutura Acka: Nuk kam ndonjë libër të tillë, sepse një gjë e tillë të deformon si shkrimtar. Kam ndeshur mes autorësh shqiptarë që imitojnë deri edhe frazat e të mëdhenjve, që mburren me veprat e tyre edhe pse u ndihet se erën e kujt autori kanë. Ne të gjithë padyshim kemi modelet tona, unë jua shpjegova modelet e mia. Duke u nisur nga temat që të gjithë i kemi thuajse shteruese, sa kohë temat tona janë shkëmbime të realitetit, ne duket se nuk bëjmë gjë tjetër, veçse imitojmë njëri-tjetrin, pra më të rinjtë imitojnë ata më të vjetrit. Çështja është se cili prej nesh është i paimitueshëm, siç thotë Ezra Pound diku, pra secili prej nesh është në fakt, shkrimtari i vërtetë.

S.: Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejtë? Si e keni përjetuar ju atë?

Flutura Acka: Në të vërtetë janë ca libra në shqip, por për etikë nuk po i përmend, kanë marrë edhe çmime, u janë bërë edhe kritika me porosi, kanë marrë fonde. Sa dëm i ka bërë lexuesit shqiptar kjo gjë, sa e ka ftohuar atë nga letërsia shqipe? Është thuajse fatale, po ta mendosh se kjo vazhdon njëlloj. Për shembull, “50 hijet e Greit” kam turp ta kem në shtëpi, ose “Kodi i Da Vinçit” më shumë u gëzova kur ma vodhën, se sa kur e bleva. Por secili ka shijen e tij, çdo libër ka lexuesin e tij dhe askush nuk mund të paragjykohet që lexon këtë apo atë libër. Unë fola vetëm për shijet e mia.

S.: Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?

Flutura Acka: Unë kam harruar të qesh, por lexoj shumë shpesh në kujtim të tim Biri “Çarli dhe fabrika e çokollatave”, me të cilin e kemi lexuar po aq shpesh në fëmijëri, pasi kënaqeshim me Umpa-Lumpat. Ma kujtuat mirë, do të lexoj “Don Kishotin”, natyrisht variantin e Nolit, është një antidotë e vërtetë për kohën që jetojmë.

S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Flutura Acka: “Bolshevik feminist”, ishte nga të fundit që lashë, e mora për arsye studimi, por duke e lexuar m’u kujtua se në ç’planet të frikshëm kemi jetuar gjatë socializmit tonë të “ndritur”. Atë kohë u botua një libër që do ta bënte me turp çdo autor. “Gozhda”, nuk e di kush autori, kam qenë fare e re kur e kam patur në duar dhe nuk e përfundova.

M.S.: Libri që ju vjen shumë turp që s’e keni lexuar ende?

Flutura Acka: “Under the vulcano” të Malcolm Lowry dhe librat e Hararit, për të dytin për mungesë kohe. Në komodinë më pret në radhë “The house gun” e Gordimerit.

M.S.: Libri më i hershëm që keni lexuar?

Flutura Acka: Ka qenë një libër për fëmijët e Vietnamit a të Kamboxhias, titujt nuk më kujtohen. “Lulet e mollës” e mbaj mend si më sentimentalin, dhe “Bija e Montezumës” si më të parakohshmin. “Mirmëngjes trishtim”, “Terezë Deskeiru” dhe “Tonio Kregeri” si më mbresuesit e kohës kur i kam lexuar.

S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?

Flutura Acka: “Kukullat nuk kanë atdhe”, romanin tim dhe “Majat e Shalës” të Rose Lane.

 

Top Channel