Grupi farmaceutik “bombë koronavirusi”; Mbledhja vjetore shkakton të paktën 99 të infektuar

13/04/2020 22:47

Një kompani farmaceutike amerikane është kthyer pa e ditur në një “super-shpërndarëse” koronavirusi, pasi një mbledhje e zyrtarëve të saj ka shkaktuar të paktën 99 raste të reja.

Grupi Biogen, i fokusuar në trajtimin e çrregullimeve neurologjike, mbajti takimin e përvitshëm të drejtuesve në ndërtesën Marriott Long Wharf, në Boston të Massachusetts në fund të shkurtit. Por deri në mesin e marsit, 32 infektime koronavirusi u zbuluan me origjinë te kjo mbledhje, dhe prej atëherë numri është trefishuar në rreth 100 raste në gjashtë shtete të SHBA.

E përditshmja The New York Times, thotë se rreth 7,500 njerëz janë të punësuar nga të Biogen në të gjithë botën, ndërsa rreth 175 drejtues të tyre kishin marrë pjesë në konferencë. Michel Vounatsos, kreu i degës së kompanisë për mjekimet e Alzheimer tha në një deklaratë: “Për një kompani që ka si qëllim të shpëtojë jetë, ishte shumë e vështirë të shihje kolegët tanë të infektuar nga sëmundja. Ne kurrë nuk do të rrezikonim dikë me vetëdije”.

Zyrtarët thanë se prej konferencës kishte ardhur rasti i parë me Covid-19 në shtetin e Tennessee, dhe dy rastet e para të infektimit në shtetin Indiana. Ndërsa më tej gjashtë raste prej saj besohet se kanë nisur virusin në Karolinën e Veriut.

Dy drejtues të lartë të Biogen janë infektuar në koronavirus por indetiteti i tyre nuk është publikuar.

Dy drejtues të tjerë të lartë rezultuan pozitivë kur u kthyen në vendet e tyre, respektivisht Zvicër e Gjermani, ndërsa një pjesmarrëse besohet se ka fshehur simptomat teksa fluturoi nga Los Angeles drejt Pekinit.

Departamenti i shëndetit në Massachusetts thotë se numri i infeksioneve të shkaktuara nga konferenca është 99. Pacientët e lidhur me Biogen jashtë Massachusetts raportohet se janë rekuperuar por nuk është e qartë se sa janë ende sëmurë apo kanë vdekur prej kësaj.

FOTO GALERI
1/3
Biogen mbajti takimin e përvitshëm të drejtuesve në ndërtesën Marriott Long Wharf, në Boston

Top Channel