Evropa “e pushtuar” nga Covid-19! Si paraqitet situata në Spanjë, Itali dhe Francë

13/04/2020 14:46

Spanja nisi të zbusë kufizimet e lëvizjes, pasi përditësimet e fundit të shifrave treguan sërish rënie të numrit të vdekjeve.

517 vetë humbën jetën brenda 24 orëve të fundit në njërin prej vendeve më të goditura nga koronavirusi në Europë, një shifër kjo më e ulët se 619 që ishte të djelën. Infektimet gjithashtu janë në rënie. Autoritetet spanjolle i lejuan punonjësit e ndërtimit, ata të fabrikave dhe të tjerë që nuk punojnë dot nga shtëpia, të rikthehen në punë, por duke ndjekur gjithmonë rregullat e ashpra të distancimit social. Në metronë e Madridit dhe stacionet e autobuzëve, policët shpërndanin maska për udhëtarët, numri i të cilëve ishte për çdo rast mjaft i kufizuar në krahasim me atë cfarë ndodh zakonisht në orët e pikut të lëvizjes në kryeqytetin spanjoll. Spanja ka deri tani gati 17.500 vdekje nga koronavirusi dhe rreth 170 mijë të infektuar.

Franca po ashtu shënon një bilanc të rënduar prej sëmundjes me rreth 14.400 jetë të humbura dhe mbi 132 mijë të sëmurë. Presidenti Emmanuel Macron pritet ta zgjasë izolimin deri në 10 maj, ndonëse me shumë gjasë do të njoftojë edhe mënyrat sesi pritet të bëjë vendi zbutjen e karantinës. Britania, me mbi 10 mijë të vdekur, do t’i rishikojë më vonë gjatë javës masat shtrënguese. Ministrat e kabinetit atje kanë kërkuar që të sigurohen që vendi e kaloi vërtet pikun e epidemisë përpara se të lehtësojnë kufizimet, por ka edhe shumë presion për të hapur vendin në mesin e shqetësimeve mbi impaktin që do të ketë kjo situatë tek ekonomia e tij. Ndërkohë testi i kryeministrit Boris Johnson që ka dalë tashmë nga spitali, rezultoi negative për koronavirus.

Italia me gati 20 mijë vdekje mbetet vendi më i goditur në Europë, por vendi së fundi ka shënuar një bilanc të ulët jetësh të humbura, duke ushqyer kështu shpresën se më e keqja është hedhur pas krahëve.

Top Channel