Covid-19/ Trump “do kokën” e Faucit, eksperti nuk mbështet hapjen e shpejtë te ekonomisë

13/04/2020 13:59

Eksperti më i lartë për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci, paralajmëroi të dielën se ekziston “një rrezik i jashtëzakonshëm” për përhapje të mëtejshme të koronavirusit nëse Shtetet e Bashkuara rihapen më shpejt se ç’duhet.

Presidenti Donald Trump po merr në konsideratë mundësinë që kjo hapje të bëhet në 1 maj. Dr. Fauci i tha televizionit CNN, se rigjenerimi i tregëtisë nuk do të bëhet “sa hap e mbyll sytë”, me mbërritjen e kohës së përfundimit të afatit të rekomandimeve të qeverisë për distancim social, që është në 30 prill.

Ai tha se shpreson që “të paktën në një farë mase”, vendi t’i rikthehet punës dhe aktiviteteve të rutinës së përditshme muajin e ardhshëm, por shtoi se gjasat janë që të mos jetë njëlloj në zona të ndryshme të vendit. Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi u rrit në gati 22 mijë, më i larti i çdo vendi të botës, ndërsa të infektuarit janë rreth 560 mijë. Sipas modeleve aktualë të parashikimeve, 60 mijë vetë mund të vdesin në vend deri në korrik.

Vetë Trumpi ndërkohë, siç thonë disa media vendase, postoi në Twitter një thirrje për shkarkimin e Faucit. Ato pretendojnë se ai ka kryer disa telefonata me këshilltarë, të cilët i ka pyetur ndër të tjera se cfarë mendimi kanë për ekspertin. Teksa shefi i Shtëpisë së Bardhë është shfaqur shpesh optimist në raport më kapërcimin e krizës, disa pjesëtarë të task force-s së tij të koronavirusit, përfshirë dhe vetë Faucin, kërkojnë një qasje shumë më të kujdesshme sidomos në raport me rihapjen e ekonomisë.

Top Channel