Top Talk: Kryeministri i fton sipërmarrësit të shesin jahtet e të paguajnë detyrimet, ja si i përgjigjet biznesmeni

10/04/2020 19:50

Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” kryetari i Shoqatës së Prodhueseve të Birrës, Stefan Pinguli.

Gjatë fjalës së tij, Pinguli i bëri thirrje të vazhdueshme qeverisë që t’i ofrojë ndihmë sipërmarrjeve të fuqishme, pasi vendi është përballë një situate të jashtëzakonshme. Dhe destabiliteti i këtyre bizneseve, nuk qëndron në keq menaxhimin e tyre, por si pasojë e situatës. Sa i përket garancisë prej 100 milionë eurosh që qeveria i ka ofruar bizneseve t’i marrin në formën e kredive. Pinguli tha se kjo nuk është ndihmesë, sepse një kërkesë të tillë bankat sipërmarrjeve të fuqishme në vend, ia plotësojnë me shumë lehtësi. Por ai  sugjeroi se çfarë duhet të bëjë qeveria për t’i ardhur në ndihmë biznesit në këtë situatë.

  1. Të paktën thotë Pinguli, të paguajë gjysmën e pagës së punëtorëve.
  2. Të shtyhen për një afat të caktuar kohor pagimi i taksave.
  3. Të anulohen për gjashtë muaj detyrimet ndaj bashkive.

Ndërkaq, gazetari Dyrnjaja, i kujtoi Stefan Pingulit një deklaratë të kryeministrit Edi Rama në emisionin “Open”, i cili ndër të tjera tha: “Vërtetë i paguani punëtorët, por ata nuk janë skllevërit tuaj, por punonjësit e suksesit tuaj dhe mos shkojmë tek kërkesa surrealiste për të mos i paguar ata dhe dritat. Shisni jahte, apo vilën e tretë apo të katërt, për të paguar dritat dhe punëtorët”.

Në lidhje me këtë deklaratë, Pinguli u shpreh se makina për ta është  si shtëpi dhe atë e përdorin nga mëngjesi deri në darkë për t’i ardhur në ndihmë biznesit të tyre. Ndërkohë ai bëri dhe një tjetër kërkesë për qeverinë. Pinguli tha të gjitha sipërmarrjet e fuqishme në vendin tonë, përbëjnë vetëm 1.2% të biznesit. Por ata mbushin 50% të buxhetit të shtetit, si edhe mbulojnë 45% të forcës punëtore. Lidhur dhe me këto statistika ai sugjeron që qeveria t’i dhurojë të paktën 5 ose 10 % të këtij buxheti dhe bizneset të vijojnë normalisht punën.

Denis Dyrnjaja: Sipas jush, sa mund ta përballoni këtë lloj situate. Derik ku mund të shkoni ju me forcat tuaja në këtë lloj situate.

Stefan Pinguli: Unë dëshiroja të sqaroja faktin sepse gjatë gjithë kohës flitet për një lloj dhjami, një lloj mundësie. Në përgjithësi prodhuesit, punojnë me një përqindje fitimi nga 3 deri në 5 %, dhe ky 3 deri në 5 % ndonjëherë shkrihet nga raportet e parregullta gjatë vitit. Këtu nuk është një defekt i keqadministrimit tonë sepse gjithmonë biznesi ka risqet e veta, dinë ta bësh mirë dinë ta bësh keq. Ne jemi përpara një rasti të jashtëzakonshëm kur na ka ardhur një fatkeqësi natyrore. Në këtë fatkeqësi natyrore ne nuk jemi as të fuqishëm dhe as të përgjegjshëm për të bërë një gjë, e cila është mbi arsyet e mundësive tona. Prandaj edhe ne kemi kërkuar nga shteti që këtë pjesë të rënies, të depresionit, të prodhimit, i cili reflekton thellësisht rentabilitetin e prodhimeve tona, duhet ta mbulojmë të paktën po në atë masë që rentabiliteti ka rënë.

Denis Dyrnjaja: Shteti ka vendosur një graranci 100 milionë euro që ju të merrni kredi dhe të mbuloni edhe pagat e punonjësve, por edhe gjërat e tjera që i keni të emergjencës. Ju a do të merrni këtë kredi, ju plotëson kushtet dhe nevojat kjo mënyrë.

Stefan Pinguli: Mbi 90% neve (bizneset) nuk kemi as interes të shfrytëzojmë garancinë e qeverisë, për arsyen e thjeshtë, që ne këtë garanci e kemi vetë. Ne bankat na suportojnë, na respektojnë mund të them më shumë se do të respektonte qeverinë.

Ne nuk po kërkojmë nga shteti kredi, ne kërkojmë nga shteti mbështetje të një pakete siç kanë bërë vendet afërsisht ballkanike, të cilat kanë nivel të krahasueshëm me ne, sidomos të prodhimit. Në radhë të parë, a kemi mundësi që këtë pjesë depresioni të prodhimit, nuk themi se sa humbim ne, sepse humbja jonë është në nivel më të lartë se sa depresioni jonë i shitjes. Por po themi që të paktën gjysmën e pagave të punonjësve të jenë të mbështetura nga shteti. Së dyti, taksat që kemi për të paguar në shtet, spo themi të mos t’i paguajmë. Por t’i shtyejm në një masë tre deri në gjashtë mujore, që të mos kemi një ngarkesë të madhe për të shlyer atë pjesë të pagave që duhet të mbulojmë ne. Së treti, raportet me masat fikse dhe me shpenzimet fikse, siç janë taksat e bashkisë. Mua më erdhi mirë që edhe kryetari i bashkisë, dëgjova dhe kryetarin e bashkisë të Pogradecit, që folën shumë mirë dhe morën përsipër që të anulonin këto taksa, sigurisht këto nuk janë bërë ligjore, janë vetëm thënie të karakterit moral, por edhe këto janë mirë për ne shqiptarët. Unë do ta besoja që duhet të heqim dorë në mënyrë të plotë gjatë këtij viti, të paktën për gjashtë muajsh, që rëndojnë goxha mbi pronën.

Denis Dyrnjaja: Ajo që ju e konsideroni si humbje, nga qeveria konsiderohet si fitim i munguar. Nga mënyra se si po zhvillohen ngjarjet duket se ka një lloj mosbesimi nga qeveria për biznesin, pasi dyshon se ju mund ta përdorni këtë situatë për të përfituar nga shteti.

Stefan Pinguli: Këto janë aludime të njerëzve që nuk e njohin ekonominë, për arsyen e thjeshtë. Ne deklarojmë shitjet tona, i deklarojmë në mënyrë fiskale shumë të qarta, dhe fiskaliteti jonë, tatimet dhe doganat, e kanë shumë të qartë se sa shesim ne. Ne kemi një mbulesë të kontrollit fiskal që nuk e ka asnjë vend i botës. E para ne kemi edhe faturat e TVSH-së, por kemi edhe DSHA-në, pulla mbi ato. Kështu që ato janë shumë të sigurtë se sa prodhojmë ne, sepse ne jemi në kontakt me ta.

Denis Dyrnjaja: Si  shpjegohet që kryeministri po kërkon që ju të shisni jahtet, të shisni makinat, të shisni shtëpitë e dyta apo të treta, që të mbani punonjësit në punë. Si e komentoni këtë.

Stefan Pinguli: Unë e kuptoj këtë dëshirë populiste të këtyre njerëzve shtetarë që flasin në këtë formë. Por duhet të kenë një gjë parasysh, që ata nuk kuptojnë një gjë, makina është shtëpia jonë. Ne shumë radhë jemi nga ata investitorë që kemi shofera, e drejtojmë vetë nga mëngjesi deri në darkë. Makinën e kemi një lloj ambienti të rrëmujshëm, por të përshtatshëm për produktet tona.

Denis Dyrnjaja: Po përse e përdor kryeministri këtë lloj oferte publike, duke ju ftuar që të bëni shitjen e aseteve personale për të mbajtur bizneset në këmbë. Çdo të thotë kjo mënyrë për ju?

Stefan Pinguli: Unë do të jap një kundërpërgjigje për këtë pikë. A kuptohet që mbi 50% e buxhetit të shtetit, mbushet me taksë direkte. A kuptohet në përgjithësi, se megjithëse 1.2% e prodhuesve të mëdhenj si numër kanë gati-gati 45% të krahut të punës dhe si pasojë gati 50 % të taksave që jepen në shtet. Përse shteti nuk e pastron këtë faqe të ndritur të prodhuesve. Ne kërkojmë që të sakrifikohet një pjesë e buxhetit publik, i cili është rasti për të treguar që jemi pro bizesit. Edhe ky buxhet publik. Ne nuk po themi që të jetë në masë të madhe, por të paktën nga 5-10 %. Por ne fusim 50% të taksave, ai 5-10% që qeveria do të mbulojë, ne do të mbulojmë gati 50% të taksave që ai kërkon, në mënyrë që ekonomia jonë të vazhdoj punë. Kjo është fare e qartë dhe habitem që këto punë, rrethanorët tanë e kanë shumë të qartë dhe e kanë bërë shumë të qartë nëpërmjet deklaratave publike, ekonomike dhe politike.

Top Channel