Avioni privat i super-të pasurve kthehet mbrapsht në Londër pasi u ul në bregdetin francez gjatë karantinës

10/04/2020 22:26

Një avion privat milionerësh u detyrua të kthehej mbrapsht në Britani nga ishte nisur, pasi u ul në bregdetin francez në fillim të javës kur ata që ishin në bord po priteshin nga tre helikopterë për t’i çuar në Cannes.

Shtatë burra 40-50 vjeçarë dhe tre femra në të 20-at u ulën me mjetin e tyre luksoz në aeroportin e Marseille-Provence por u interceptuan nga policia vendase.
Organizator i udhëtimit ishte një biznesmen kroat me bazë në Angli, i cili kishte prenotuar dhe tre helikopterët për të çuar të ftuarit në vila.
Një burim i policisë i tha mediave franceze: “Ata koishin planifikuar të vinin për t’u zbavitur në bregdet megjithë në kohë izolimi nga koronavirusi. Çdo gjë ishte planifikuar nga organizatori i udhëtimit … që prej avionit luksoz që erdhi nga Britania dhe vilat e marra me hua në Cannes. Për të shkuar atje ai kishte rezervuar tre helikopterë, me kompani që japin lidhje private për klientë të privilegjuar”.

Burimi tha më tej se policia e aeroportit Marseille-Provence i kishte kërkuar avionit të mos ulej, por ai e kishte bërë këtë dhe policisë nuk i mbetej veç të ndalonte zbritjen e pasagjerëve nga avioni.

Burimi tha më tej: “Ata u kontrolluan nga xhandarmëria dhe asnjëri nuk kishte arsye të vlefshme për udhëtim në situatë karantine”.

Burimi tha se kroati kishte “paguar për gjithçka dhe mezi po priste për pushimin me miqtë e tij dhe shoqërueset femra”. Organizatori kishte ofruar para dhe kishte tentuar t’i bindte duke u thënë se do të shkonin në vilë dhe nuk do të lëviznin prej andej.

“Por ky dukej qartë që ishte një udhëtim zbavitjeje dhe sipas masave aktuale të izolimit është krejtësisht i ndaluar”.

FOTO GALERI
1/4
Burimi tha se kroati kishte "paguar për gjithçka dhe mezi po priste për pushimin ne Cannes me miqtë e tij dhe shoqërueset femra”.

Top Channel