Edhe sot grupet e punës të Bashkisë së Tiranës vijuan shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe të ilaçeve derë më derë pranë njerëzve në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në familjet e Çlirim Pajës, Xhevdet Hidrit, Vath Hidrit dhe në famijen e madhe të Lulëzim Plakut, në zonën e Kasharit, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti.
Kreu i Bashkisë kërkoi prej qytetarëve që të qëndrojnë në banesat e tyre gjer në kapërcimin e kësaj situate, ndërsa i siguroi për dhënien e ndihmave me të gjitha ushqimet bazë të shportës.
“Edhe rinia është aktivizuar shumë pas thirrjes që bëmë; pra, nëse je djalë ose vajzë e re, nëse ke dalë jashtë, nuk të kushton asgjë për të ndihmuar një të moshuar që jeton një kat më lart. T’u japim fokus atyre që janë më hallexhinj. Kur del Kryeministri vetë nëpër tregje, kur del kryetari i Bashkisë për të çuar ndihma, ndërlidhësi po që po. Me këto masa që janë marrë, që të moshuarit nuk dalin, mund t’ia hedhim me më pak dëme. Kjo do disiplinë, pasi ndryshe nuk bëhet”, deklaroi ai.
Veliaj dha lajmin e mirë të përgatitjes së dosjeve të shtëpive. Ai bëri me dije se sapo të përfundojë kjo situatë e krijuar si pasojë e pandemisë, do të nisë puna për ndërtimin e banesave të reja.
“Kjo është një sëmundje që nuk pyet je i pasur a i varfër. Kjo është një sëmundje që i ka sprovuar të gjithë. Kemi filluar me dosjet e shtëpive, do ecim shumë shpejt. Na bllokoi pak kjo situatë, po do të fitojmë edhe këtë betejë, edhe atë tjetrën. Një nga programet që do fuqizojë më shumë ekonominë do jetë rindërtimi pas tërmetit. I kemi bërë të gjitha dosjet gati. Na ndërpreu hovin kjo histori, po do kishim ecur. Ky vit do na gjëjë me shtëpi të reja”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Falë organizimit të punës nga Bashkia e Tiranës, asnjë shtresë në nevojë apo pensionist i vetmuar nuk do të mbetet pa ndihmat bazë deri në fund të kësaj sfide.
Top Channel