Bilanci i koronavirusit në botë është momentalisht rreth 300 mijë të prekur dhe 13 mijë viktima.

Pas Italisë, vendi më i prekur, Spanja po sjell shifra shqetësuese. Ministria spanjolle e Shëndetësisë, ka raportuar një rritje prej 32 përqindësh të viktimave nga Covid-19 me 1326 vdekje të konfirmuara, e dyta më e larta në Evropë pas Italisë. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, paralajmëroi në një konferencë për shtyp se më e keqja pritet akoma të vijë dhe se ditë shumë të vështira na presin përpara.

Qeveria ka vënë në izolim rreth 46 milionë njerëz që lejohen të dalin nga shtëpitë vetëm për punë esenciale, blerje ushqimesh, shkaqe mjekësore ose për të shëtitur qentë. Një numër liderësh botërore dhe politikë i kanë kërkuar qytetarëve të zbatojnë rregullat. Kryeministri Boris Johnson, paralajmëroi se sistemi shëndetësor i vendit mund të jetë i tejngarkuar nëse njerëzit nuk bëjnë pjesën e tyre për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Ai i kërkoi njerëzve t’i bashkohen një përpjekjeje heroike kolektive dhe të ndjekin këshillat për distancim social. Ministri francez i Shëndetësisë ndërkohë drejtoi gishtin nga ata që nuk i përmbahen direktivave për distancim social, duke i quajtur të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm. Më shumë se 12500 persona janë prekur nga koronavirusi në francë dhe numri i viktimave të shtunën shkoi në 562.

Në SHBA, guvernatori i Nju Jorkut, Endriu Kuomo, i kërkoi të rinjve, që ai pretendon se injorojnë urdhërat, të mos mblidhen në grupe. Kjo është një çështje e shëndetit publik dhe ju nuk mund të rrezikoni shëndetin e njerëzve të tjerë. Nuk duhet të rrezikoni as shëndetin tuaj – tha ai.

Ndërkohë në Australi, kryeministri Skot Morrison, paralajmëroi se vendi mund të vihej nën izolim pas disa imazheve në qarkullim që tregonin njerëz që injoronin këshillat për distancim social dhe i drejtoheshin plazheve.

Top Channel