Gonzales, kreu OBSH në Tiranë: Shqipëria masa radikale të duhura. Respiratorët, shikoni në tregun global

20/03/2020 19:51

Raul Gonzales kreu OBSH në Tiranë në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu dhënë paraditen e kësaj të premteje, kalon në skaner situatën aktuale deri më sot të Covid19 në Shqipëri. Masat që po shikojmë thotë Gonzales  janë radikale që në fillim.

“Kjo është një gjë shumë e mirë. Nëse duhet ti forcojmë këto masa? Këtë për momentin nuk e dimë nëse ka edhe të tjera masa që mund të ndërmerren. Shqipëria e ka bërë këtë,  në kohën e duhur dhe me shumë seriozitet. Fatkeqësisht nuk e kemi njohurinë e plotë për këtë virus për të parashikuar kohëzgjatjen e nevojshme të mbajtjes në fuqi të këtyre masave” deklaron ai. Ndërkohë i pyetur për nevojën e blerjes së respiratorëve, përfaqësuesi OBSH në Tiranë thotë: “Unë mendoj se opsioni më I mirë nuk do të jetë tregu europian por duhet të shkohet në tregun global. Ne e dimë se kërkesa në tregun europian është  ekstremisht të lartë pas asaj që jemi duke parë në Itali ku numri të vdekurve është më i lartë se në Kinë sikurse edhe në Spanjë sëfundmi ku ka një kërkesë të madhe për pajisje mjekësore. E njëjta gjë në Gjermani, Francë dhe vende të tjera të Unionit Europian. Ka më shumë mundësi gjetje e këtyre pajisjeve nëse shikohet në tregun global” deklaroi Gonzales.

Muhamed Veliu: Zoti Gonzales si e shikoni situatën aktuale në Shqipëri nga Covid19?

Raul Gonzales: Në Shqipëri deri më tani kemi një numër të vogël dhe ky është një lajm I mirë. Shqipëria mora masat e duhura herët dhe në kohë. Kjo ka dëshmuar të jetë vendimtare në ngadalësimin e shpërndarjes të këtij infeksioni të ri. Nëse shikojmë atë që po ndodh në të tjera vende evropiane, mund të bëjmë krahasim dhe mund të shikojmë se shpërndarja e deritanishme e virusit është e limituar.

Muhamed Veliu: Ne shikojmë çdo ditë jo më shumë se katër raste pozitiv me këtë virus. Ky trend është tregues i një lajmi të mirë se virusi nuk po shpërndahet me shpejtësi apo  se Shqipëria ka një nivel të ulët zbulueshmërie të rasteve pozitive?

Raul Gonzales: Nuk mendoj se është niveli i ulët i zbulueshmërisë së rasteve pozitive.  Ne kemi atë që e quajmë indikatorë indirekt për të parë nëse jemi përballë zblueshmërisë së vogël apo të asaj të vërtetë.  Indikatori  më e mirë që mund të përdorim është  numri atyre personave të shtruar në spital që janë nën monitorim intensive të mjekëve. Kjo po ndodh dhe nëse flasim me përqindje kemi  4 deri në 5 përqind të të infektuarve. Pra nëse kemi vetëm pak njerëz në mbikëqyrje intensive spitalore, kjo na tregon se  numri real i rasteve po qëndron I ulët. Mund të themi se numrat që kemi deri më tani janë shifra real dhe shumë afër realitetit.

Muhamed Veliu: Kreu Organizatës Botërore të Shëndetësisë përsërit vazhdimisht tre fjalë. Test, Test,  Test. A po testohet mjaftueshëm në Shqipëri?

Raul Gonzales: Unë do ti rekomandoja gjithsecilit ta dëgjojnë të gjithë fjalinë e thënë nga kreu OBSH katër ditë më parë.  Po ai e thotë test, test,  test, të rasteve të dyshuara. Pra të rasteve të dyshuara. Ne nuk jemi përballë mundësisë të shkojmë e të bëjmë një testim të përgjithshëm të popullsisë.  Është e nevojshme një testim racional dhe secili shtet,  duhet të analizojë situatën epidemiologjike duke marrë masat e duhura. Testimi në vetvete nuk shëron. Testi në vetvete nuk parandalon. Testi në vetvete na ndihmon të kuptojmë evulimin e epidemisë. Masat  më e rëndësishme janë ato që ne po shikojmë në Shqipëri. Distancimi social. Dhe unë mund të them. Distancim social, Distancim social, Distancim social. Ky është I vetmi instrument që ne kemi I provuar që është efektiv përballë sëmundjes.

Muhamed Veliu: Cilat janë këshillimet më të fundit që ju keni dhënë për qeverinë Shqiptare?

Raul Gonzales:Ne po punojmë nga afër me qeverinë shqiptare e në veçanti me Ministrinë e Shëndetësisë. Këto masa që janë marrë dhe ne po i shikojmë janë këshilla më e mirë që ne japim.  Këshilla jonë është se duhet të zbatohet në mënyrë ekstreme distancimi social dhe zbulimi, i hershëm kur kemi të bëjmë me raste të dyshuara me simptoma apo kur ka të dhëna se personi ka qenë në kontakt me të prekur dhe këtu me patjetër duhet të shkojmë për të testuar. Janë marrë disa masa të rëndësishme se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen me shërbimin  shëndetësor. Ne kemi mësuar se qeveria ka hapur një tender për blerje aspiratorësh që janë vendimtarë për shërbimin intensiv në spitale. Sikurse mbrojtja e personelit mjekësor duke siguruar një buxhet për të këtë e ofruar trajnimin e domosdoshëm për ata. Këto janë masat kryesore përfshi ngritjen e një call center për ti dhënë popullsisë të gjithë informacionin e nevojshëm në përballjen me këtë sëmundje.

Muhamed Veliu: Ju përmendet tenderin e respiratorëve por cila është situata në Europë, a ka kompani të cilat kanë në gjendje të tilla pajisje dhe janë të gatshme ti shesin për qeverinë shqiptare ?

Raul Gonzales: Unë mendoj se opsioni më i mirë nuk do të jetë tregu europian por duhet të shkohet në tregun global. Ne e dimë se kërkesa në tregun europian është  ekstremisht të lartë pas asaj që jemi duke parë në Itali ku numri të vdekurve është më i lartë se në Kinë sikurse edhe në Spanjë sëfundmi ku ka një kërkesë të madhe për pajisje mjekësore. E njëjta gjë në Gjermani, Francë dhe vende të tjera të Unionit Europian. Ka më shumë mundësi gjetje e këtyre pajisjeve nëse shikohet në tregun global.

Muhamed Veliu: Të gjithë ne e dimë sa e vështirë është të parashikojmë se çfarë do të ndodhë me Covid19 por bazuar në eksperiencën që vjen nga Kina dhe sëfundmi nga Italia a keni ndonjë vlerësim se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri në ditët në vijim?

Raul Gonzales: Në mënyrë strikte kjo varet nga masat që vendet ndërmarrin. Nëse gjërat do të vijojnë siç janë deri më tani dhe përmbushen kufizimet e vëna nga qeveria atëherë mund të themi se situata do të jetë shumë më e mirë krahasuar me vendet e tjera. Shikojmë një shpërndarje të virusit në mënyra të ndryshme. Le të shikojmë përshembull Singaporin apo Korenë e Jugut, vende të cilat kanë qenë shumë strikte në limitimin e kontakteve njerëzore dhe sot janë të suksesshme. Është detyrë e qeverisë e më pas e qytetarëve të zbatojnë në mënyrë strikte këto masa.

Muhamed Veliu: Masat e fundit të vendosura nga qeveria shqiptare janë të mjaftueshme apo ka nevojë për masa të reja akoma edhe më të forta?

Raul Gonzales:Masat që po shikojmë janë radikale që në fillim. Kjo është një gjë shumë e mirë. Nëse duhet ti forcojmë këto masa? Këtë për momentin nuk e dimë nëse ka edhe të tjera masa që mund të ndërmerren. Shqipëria e ka bërë këtë,  në kohën e duhur dhe me shumë seriozitet. Fatkeqësisht nuk e kemi njohurinë e plotë për këtë virus për të parashikuar kohëzgjatjen e nevojshme të mbajtjes në fuqi të këtyre masave. Apo nëse këto masa mund të hiqen dhe rivendosen përsëri pasi nuk e kemi përjetuar më parë një eksperiencë të tillë. Është bërë një publikim interesant nga Kolegji Imperial i Londrës ku thuhet se duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kjo mund të zgjasë për disa muaj. Ne duhet ti bëjmë qytetarët të kuptojnë se këto masa mund të zbuten por ekziston mundësia që ato të rikthehen në një periudhë tjetër të kohës. Duhet të shikojmë se çdo të ndodhë në periudhën e verës se çdo të ndodhë me epideminë. Për momentin duhet të vijojmë së aplikuari me forcë respektimin e distancës nga njëri tjetri e mbajtur larg sëmundje sa më shumë që të jetë e mundur.

Muhamed Veliu: Si përfaqësues i OBSH në Tiranë cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë?

Raul Gonzales: Mesazhi im është I qartë. E gjitha kjo varet nga mbajtja e distancës me njëri tjetrin. Është e pavend që shikojmë të rinj nëpër rrugë ku qëndrojnë bashkë dhe kthehen në shpërndarës të virusit. Është e kuptueshme që njerëzit duan të shikojnë të afërmit, prindërit e vjetër në moshë. Edhe mua më mungojnë shumë prindërit e mi që janë shumë të vjetër në moshë sikurse atyre unë i mungoj shumë. Por çfarë të mire mund ti sjell atyre nëse shkoj e i vizitoj duke çuar me vete edhe virusin? E më pas mundësia që ata të ndërrojnë jetë është më e madhe se sa e imja. E kështu duhet të vendosim çdo barrikadë të mundshme përballë këtij virusi.  Në të tilla kushte të gjithë ne duhet të jemi të bashkuar pasi nuk është moment ndasive.  Është moment që të gjithë të shkojmë në të njëjtin drejtim. Ky është mesazhi im kryesor që dua ta kuptojnë të gjithë. Në vendet ku qytetarët kanë qëndruar të bashkuar në luftën me virusit gjërat kanë shkuar mirë.

Muhamed Veliu: Zoti Gonzales, faleminderit për komentet tuaja në këtë intervistë.

Raul Gonzales: Kënaqësia e gjitha e imja. Faleminderit shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA