CoVid-19/ Profesori i psikologjisë: Shqipëria do të preket më pak nga kjo përmbysje e përbotshme…

18/03/2020 11:05

Profesori i Psikologjisë Edmond Dragoti me anë të një statusi në Facebook shpjegon se pandemia botërore e CoVid19 po imponon një përballje të natyrës me njeriun.

Sipas Dragotit zhvillimi i shoqërisë njerëzore ka devijuar, nuk ka ecur në drejtimin e duhur ose më keq, i është kundërvënë natyrës.

Ndërkohë për sa i përket Shqipërisë, sipas profesorit, do të preket më pak nga kjo “përmbysje e përbotshme”. Kjo sipas tij do të ndodhë sepse jemi vend i pazhvilluar dhe kush zhvillohet më shpejt, konsumohet po aq shpejt.

“Sepse jemi të vegjël dhe dëmtohemi më pak, edhe nga rreziqe të tilla pandemike. Vogëlsia shpesh të privon nga zhvillimi, por të ruan nga dëmtimi dhe zhdukja. Prandaj edhe kultura jonë reagon më ngadalë ndaj ndryshimeve. Dhe ne jemi dhe do vazhdojmë të jemi më pak të zhvilluar, por më pranë natyrës. Ndoshta ky është një mesazh i natyrës, që shoqëria njerëzore të mos e tejkalojë oreksin e nevojave të veta, por të funksionojë për veten brenda në mjedisin natyror.” shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:
Natyra apo njeriu
Normalisht duhet të ishte “natyra dhe njeriu”, por situata e pandemisë botërore të Covid19 imponon një përballje të natyrës me njeriun. Me sa duket, zhvillimi i shoqërisë njerëzore ka devijuar, nuk ka ecur në drejtimin e duhur ose më keq, i është kundërvënë natyrës. Dhe beteja ka nisur.
Fuqia e goditjes së virusit SARSCoV2, shpejtësia dhe madhësia e përhapjes së tij, befasia dhe fshehtësia e prekjes së organizmit njerëzor e bën atë virusin më të rrezikshëm dhe të paparashikuar që ka njohur shoqëria njerëzore. Dhe goditja e tij është me efekte të shumëfishta tek ne, jo vetëm biologjike, por po aq edhe psikologjike, madje edhe ekonomike e më tej. Shumë më tepër ai po ndikon dhe do të ndryshojë edhe mënyrën tonë të të menduarit, mënyrën e jetesës, kulturën e sjelljes dhe gjithë drejtimin e zhvillimit shoqëror. Në gjithë botën, por edhe në vendin tonë të vogël.
Sot, për herë të parë, të pasurit nuk kanë mundësi mbijetese më tepër se të varfërit: të paktën, njëlloj si gjithë shtresat e shoqërisë, ata mund të marrin vetëm shërbimin shëndetsor publik, pa privilegje të tjera. Njerëzit e pushtetshëm në politikë, biznes, administratë e kudo janë vetëizoluar dhe frikësuar po aq sa qytetarët e thjeshtë, dhe ndoshta me probleme më të mëdha psikologjike.
Zgjatja e pandemisë do të sjellë efekte të drejtpërdrejta në qëndrimet dhe sjelljet e shoqërisë sonë, duke plotësuar dhe konsoliduar tendencat e zhvillimit të teknologjisë së sotme. Kështu, komunikimi virtual do të marrë përparësi, dhe veçanërisht shkëmbimet emocionale dhe ato ndërpersonale. Takimet në kafe, komunikimi joverbal, intimiteti ballë për ballë dhe madje riprodhimi njerëzor do të formalizohen në nivelet teknologjike dhe virtuale, joreale. Individi dhe individualizmi do të dominojnë tendencat e zhvillimit të shoqërisë, duke zëvendësuar sjelljen komunitare dhe kolektivitetin. Po aq, edhe egoizmi do të ketë përparësi në raport me solidaritetin dhe altruizmin njerëzor, veç rasteve të rrezikut të përbashkët, kur individët kanë nevojë të bashkojnë interesat për ta përballuar.
Ne do të prekemi më pak nga kjo përmbysje e përbotshme. Sepse jemi vend i pazhvilluar dhe kush zhvillohet më shpejt, konsumohet po aq shpejt. Sepse jemi të vegjël dhe dëmtohemi më pak, edhe nga rreziqe të tilla pandemike. Vogëlsia shpesh të privon nga zhvillimi, por të ruan nga dëmtimi dhe zhdukja. Prandaj edhe kultura jonë reagon më ngadalë ndaj ndryshimeve. Dhe ne jemi dhe do vazhdojmë të jemi më pak të zhvilluar, por më pranë natyrës.
Ndoshta ky është një mesazh i natyrës, që shoqëria njerëzore të mos e tejkalojë oreksin e nevojave të veta, por të funksionojë për veten brenda në mjedisin natyror.

Top Channel