Vatra e tretë e murtajës së ruminantëve të vegjël është shfaqur sërish në vendin tonë.
Sëmundja, e cila i merr jetën bagëtive të imta, është evidentuar në Dajç të Shkodrës.
Si pasojë e shfaqjes së vatrës së re, janë eliminuar 20 krerë dele, raporton gazetarja e Top Channel Rudina Muça.
Në 2025 kjo sëmundje ka qenë prezente në të gjitha rajonet e vendit, ku u eliminuan 2200 krerë. Vetëm pak ditë më parë qeveria vendosi të japë dëmshpërblimin për fermerët që kafshët e tyre u prekën.
Njoftimi:
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve informon se, në datën 15 dhe 18 maj 2026, është konfirmuar një vatër e re me Murtajën e Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Rasti është evidentuar në dy ferma me të leshta, në fshatin Mali Gjymtit, Njësia Administrative Dajç, Shkodër, me një numër total prej 112 krerësh . Fermat e infektuara ndodhen në një distancë prej 40 metrash larg njëra-tjetrës. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në laboratorin e referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Strukturat e Shërbimit Veterinar pas konfirmimit pozitiv, kanë ndërhyrë në fermë, duke zbatuar të gjitha protokollet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR. Në këtë kuadër, është bërë izolimi i menjëhershëm i fermës, karantinimi i tufës së prekur, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve.
Është përcaktuar zona e sigurisë, përkatësisht:
* zonë e mbrojtur në rreze 3 km;
* zonë mbikëqyrjeje në rreze 10 km.
Në këto zona janë forcuar kontrollet veterinare dhe është ndaluar lëvizja e kafshëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Paralelisht, Shërbimi Veterinar ka intensifikuar monitorimin në terren në fermat përreth, si dhe ka zhvilluar aktivitete informuese me mbarështuesit mbi rëndësinë e zbatimit të masave të biosigurisë. Deri në këtë moment, nga monitorimi i kryer nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo shenja klinike që lidhen me këtë sëmundje.
AKVMB apelon me forcë për bashkëpunimin e të gjithë fermerëve, si faktor kyç në frenimin e përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse, e cila në rast shpërthimi mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme, deri në zhdukjen e të gjithë tufës!
Masat:
Ndalimi i lëvizjes së kafshëve drejt fermave të tjera, kullotave apo tregjeve të kafshëve.
Kufizimi i hyrjeve të personave të jashtëm në fermë.
Dezinfektimi i pajisjeve apo në ambientet të qëndrimit të kafshëve.
Top Channel