Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka paralajmëruar se deri në 70 për qind e popullatës së vendit, ose rreth 58 milionë njerëz, mund të preken nga koronavirusi.

Merkel e bëri parashikimin e zymtë në një konferencë për shtyp të mërkurën, përkrah ministrit të shëndetësisë Jens Spahn. Ajo tha se për sa kohë që nuk ka një kurë të njohur, fokusi do të vendoset tek ngadalësimi i përhapjes së virusit. Bëhet fjalë për të fituar kohë – tha ajo.

“Kjo është një situatë e veçantë dhe ne do të bëjmë cfarë është e nevojshme. Fatmirësisht gjermania është relativisht e fortë. Kemi rezerva të mjaftueshme me të cilat mund ta përballojmë situatën dhe më pas do të shohim. Fundi i epidemisë duhet të jetë prioritet”.

Gjermania konfirmoi viktimën e tretë të saj të koronavirusit të mërkurën pas atyre të shënuara një ditë më parë. Deri më tani, ka raportuar 1296 raste të virusit sipas institutit Robert Koch për kontrollin e sëmundjeve.

Spitalet gjermane po përgatiten për një numër më të madh pacientësh të sëmurë si pasojë e koronavirusit. Instituti Robert Koch, rekomandon që spitalet të pezullojnë procedurat jo të domosdoshme. Kjo do të lironte më shumë shtretër për pacientët të sëmurë rëndë. Sipas ekspertëve, katër nga pesë pacientë me COVID-19 do ta kalojnë butë sëmundjen. Megjithatë kjo nuk vlen për të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Ndërkohë edhe ministri i brendshëm, Horst Seehofer, është vetëizoluar në shtëpinë e tij për shkak të kontakteve me një person të infektuar. 70-vjeçari Seehofer dhe personi që kishte kontaktuar kishin qenë në të njëjtën dhomë gjatë një takimi në Bruksel. Takimi ndodhi në një mbledhje të ministrave të brendshëm të BE në Bruksel javën e kaluar. Edhe Deutsche Bank do të mbyllë përkohësisht dy degë të tjera të saj për shkak të infektimit të dy punonjësve me COVID-19. Më herët ishin mbyllur edhe dy degë të tjera të saj.

Top Channel