Negociata të reja SHBA-Iran/ Pakistani përpjekje për të ulur palët në tryezë, Trump: Vijojmë bisedimet. Teherani i gatshëm

25/07/2026 19:57

Me përshkallëzimin e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit javët e fundit, ka pasur raportime për një përpjekje të re nga Pakistani për t’i sjellë palët në tryezën e negociatave.

Islamabadi është përpjekur të ndërmjetësojë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga shpërthimi i konfliktit, një rol që ka marrë mbështetje publike edhe nga Kina.

“Nuk kam informacion të saktë për atë që po ndodh tani, por mund të them se angazhimi nuk është ndërprerë as gjatë armiqësive aktive”, tha një zyrtar i lartë në Islamabad për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse Pakistani po vepron nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet deri në atë pikë sa të ndikojë në sigurinë e kufijve dhe ekonominë e tij, zyrtari u përgjigj:

“Janë vendet e Gjirit Persik ato që janë më të shqetësuara, pasi ato po përballen me barrën kryesore të sulmeve iraniane… madje më shumë se Izraeli, tani që Izraeli nuk është pjesëmarrës aktiv në luftë”.

Më 24 korrik, mediat ndërkombëtare raportuan se Pakistani po përpiqej të gjente një rrugë për rifillimin e bisedimeve të ndërprera mes Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas raportimit, kjo përpjekje po mbështetet dhe inkurajohet nga Pekini, aleat i ngushtë i Pakistanit.

Teherani duket se ka sinjalizuar gatishmërinë për një armëpushim dhe rifillimin e bisedimeve. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij nuk dëshiron që konflikti të vazhdojë dhe se është i gatshëm të negociojë me SHBA-në për ta zgjidhur atë.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Uashingtoni dhe Teherani po vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit, edhe pse sulmet nga të dyja palët vazhdojnë në të gjithë rajonin, duke paralajmëruar se nuk ka garanci se bisedimet do të prodhojnë ndonjë marrëveshje.

Top Channel