Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar ish-Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Në studio nuk u lanë pa përmendur dhe zhvillimet e fundit politike në vendin tonë që kanë protagonist kryesor Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.
Fillimisht ishte presidenti ai që në një nga konferencat e tij të shumta u shpreh se Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka shkelur ligjin duke publikuar aktet e KED (Këshillit të Emërimeve në Drejtësi) si fletore zyrtare. Sipas presidentit këto akte duhej postuar tek faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë në internet dhe jo si fletore zyrtare, për këtë ai ka kërkuar dorëheqjen e ministres dhe dërgimin e kësaj çështje pranë strukturave të SPAK.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ministres, teksa me anë të një postimi në Twitter, ka shkruar se është e gatshme që të përballet me akuzat e ngritura. Ajo nuk ka lënë pa ironizuar dhe presidentin në shkrimin e saj, duke u shprehur se është e lumtur që presidenti kërkon që kjo çështje të paraqitej në SPAK. Një strukturë e dalë nga Reforma në Drejtësi, reformë kjo e kritikuar së tepërmi nga Presidenti. Pikërisht duke iu referuar këtyre zhvillimeve, drejtuesi i emisionit Denis Dyrnjaja, shfrytëzoi mundësinë që kishte në studio Petrit Vasilin, i cili njihet si një person shumë i afërt me Presidentin Meta.
Gjithashtu ai në të kaluarën ka mbuluar dhe postin e Kryetarit të LSI-së, post ky i trashëguar nga presidenti. Vasili u shpreh se kjo ishte koha e duhur për të denoncuar këto shkelje. Sipas tij duke qenë se mazhoranca ka kapur të gjithë institucionet shtetërore, këtë herë ishte radha e Gjykatës Kushtetuese për t’u kthyer në “pronësi të tyre”. Ai nuk nguroi të akuzojë se Ministria e Drejtësisë, kuvendi i Shqipërisë dhe Kryetari i Emërimeve në Drejtësi (duke iu referuar Ardian Dvoranit, kreut të kësaj strukture), ndodhen në një sinkron për të “rrëmbyer” Gjykatën Kushtetuese. Këto veprime sipas Vasilit kanë për të tronditur rëndë rendin kushtetues në vendin tonë.
“Jemi në kontestin institucional, pasi në rastin konkret ajo që është konstatuar gjerësisht presidenti na afroi faktet finale që lidhen me Gjykatën kushtetuese, ku përvijimi merr ngjyrim ekstrem, për rrëmbimin e kokës së sistemit të drejtësisë. Pra finalizoi një proces që është denoncuar gjerësisht, që nga kapja e parlamentit, kapja e pushtetit lokal, kapja e të gjithë institucioneve të tjera që lidhen me atë që quhet pavarësi dhe ndarje e pushteteve. Praktikisht hapi i fundit me Gjykatën Kushtetuese ishte hapi përfundimtar, ku qëndrueshmëria institucionale e presidentit ka bërë që kjo të evidentohet dhe për më shumë, kjo dominon dhe të gjithë situatën, faktet janë shumë tronditëse. Në raste se konstatimet kanë qenë njerëz dhe politik dhe më shumë fakte, por fakte të tilla kaq të rënda dhe skandaloze janë të tilla që do të sillnin një skandal madh në media. Edhe sikur të ishin qenë elemente të shpërdorimit të detyrës nga një nëpunës i nivelit të dytë dhe të tretë, do të ishte një ngjarje madhore. Ndërkohë që Ministrja e Drejtësisë, Kuvendi i Shqipërisë, Kryetari i Emërimeve në Drejtësi të gjithë bashkë, në një sinkron të plotë të një grupi të organizuar për rrëmbimin praktikisht të Gjykatës Kushtetuese. Ku secili veprim është shumë e qartë që ka qenë i kombinuar me tjetrin. Ky nuk është më një hamendje politike, nuk është as koment politik, por janë këto fakte që shkresat që janë publike kanë tronditur rëndë rendin kushtetues”, u shpreh ish-ministri”, u shpreh ish-ministri.
Ndërkohë në studio pati dhe një ndërprerje nga drejtuesi i emisionit Denis Dyrnjaja, i cili pyeti drejtpërsëdrejti Vasinin.
“Nuk e kuptova presidentin kur tha në deklaratën e dy ditëve më parë se do të ftoja ministren që të jepte dorëheqjen, sepse nuk do të doja që çështja të shkonte në SPAK për një ministre. Në fakt në qoftë se presidenti ishte i bindur që ministrja ka konsumuar këtë vepër të rëndë penale. Pse duhet që të mos shkojë në SPAK edhe në qoftë se do të jepte dorëheqjen. Në qoftë se është i bindur presidenti që kjo ka konsumuar këtë vepër duhet ta çojë apo jo”, pyeti gazetari.
“Ju me shejtanllëkun që jua lejon profesioni e nxorët nga kontesti. Unë e bëj tha por në mënyrë që të hetohet duke mos pasur kostumin e ministres të hetohet e lirë dhe pa presion. Kjo do t’i bënte mirë procesit, por jo se do të ndalte procesin”, u përgjigj Vasili.
Top Channel