Festa e “Shën Valentinit”/ Një popull që dhuron lule! Ja sa shpenzojnë shqiptarët për buqetat…

14/02/2020 09:05

Lulet janë simboli i ditës së të dashuruarve, “Shën Valentin-it”. Burrat shqiptarë po blejnë gjithnjë e më shumë buqeta me lule si dhuratë për Shën Valentin. Sipas INSTAT, në Shqipëri po importohen gati tre herë më shumë lule në krahasim me vitin 2013.

Vetëm gjatë 2019-s janë importuar lule me vlerë gati 1 miliard lekë, duke shënuar rritje me 4% në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë rekordi i luleve të importuara u shënua në vitin 2017, me një vlerë prej 1.07 miliardë lekë.

Po nga vijnë lulet që blejnë shqiptarët?

Holanda është tregu kryesor që furnizon me lule tregun shqiptar të luleve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019 janë importuar nga Holanda mbi 331 milionë lekë lule dhe bimë, duke u përgjigjur kështu për një të tretën e importeve në vend.

Në vend të dytë për nga sasia e importuar renditet Italia, me 314 milionë lekë lule.

Vendi i treti i origjinës për nga sasia e importuar është Greqia, me 105 milionë lekë.

Ndërkohë, në vitin 2019 është shënuar një rritje e lartë e luleve të importuara nga Kolumbia, me vlerë 38 milionë lekë, trefishuar në krahasim me një vit më parë.

Top Channel