Kurti: Holokausti duhet kujtuar përjetë në të gjithë botën

27/01/2020 10:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përkujtoi sot dhimbjen dhe tmerrin siç e quajti ai, të hebrenjve gjatë holokaustit me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë dhe as nga ndonjë popull tjetër.

“Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli”, shkroi Kurti.

Ai tha se mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist.

“Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…”, vijoi Kurti.

Kurti tha se Holokausti duhet kujtuar përjetë në Izrael e në të gjithë botën.

“Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros”, përfundoi Kurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA