Viti 2020 nisi me një aksident tragjik në kryeqytet. Pasditen e së enjtes, rreth orës 15 e 15 minuta, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, u aksidentuan për vdekje një burrë dhe një grua, të cilët ishin këmbësorë.
Tiranë/ Identifikohen viktimat dhe shoferët, çfarë thotë policia për aksidentin
Sipas të dhënave të policisë, dy makina u përplasen me njëra tjetrën dhe për pasoja lanë të vdekur edhe kalimtarët, të cilët për shkak të goditjes së fortë, humbën jetën menjëherë.
Trupat e tyre të pajetë, ishin disa metra më tutje nga vendi i përplasjes.
Forca të shumta të policisë rrethuan pjesën e rrugës ku ndodhi ky aksident tragjik, me qëllim që grupi i ekspertëve të policisë rrugore të kryente hetimet.
Por megjithatë, paraprakisht Top Channel mëson, se shkaku ka qenë shpejtësia e lartë më të cilën automjetet po qarkullonin në këtë rrugë dhe një parakalim i gabuar.
Dy shoferët të cilat u përfshinë në këtë ngjarje të rëndë, u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, për të hedhur më shumë dritë mbi shkaqet e aksidentit.
Ngjarja vjen një ditë pas deklaratës së Policisë së Shtetit, e cila tha se falë masave, ndërrimi i viteve kaloi pa asnjë aksident me pasoja jete e po ashtu pa asnjë ngjarje të rënde.
2019-ta u mbyll me një bilanc të rëndë lidhur me jetët e humbura në aksidentet rrugore.
Andi Bora
Top Channel