Banorët e Berlinit ironizojnë Trump-in, i dërgojnë një pjesë të Murit të Berlinit që peshon 2.7 ton

09/11/2019 13:17

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të marrë një dhuratë të veçantë nga banorët e Berlinit, në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit – një seksion 2.7-ton të vetë murit.

Ky veprim, vjen pas veprimit të palëkundur të presidentit Trump, që të ndërtojë një mur mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, si pjesë e politikave “zero tolerancë ndaj migracionit”, transmeton Telegrafi.

“Duam t’ju japim një nga pjesët e fundit të Murit të Berlinit të dështuar, për të përkujtuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një bote pa mure”, shkruan në pllakën e betonit, që është nënshkruar nga “Qytetarët e Berlinit”.

“Gjermania është e bashkuar sërish, ndërsa vetëm disa mbetje në Berlin na përkujtojnë se asnjë mur nuk zgjatë përgjithmonë.”

Organizuesit e projektit, organizata jofitimprurëse pro-demokracisë me qendër në Berlin Die Offene Gesellschaft, thanë që ata e informuan Shtëpinë e Bardhë për projektin në fillim të kësaj jave, por ende nuk dinë nëse dhurata do të pranohet.

Ata planifikojnë të dorëzojnë seksionin në mbrëmjen e sotme, duke shënuar saktësisht 30 vjet që kur ra muri.

“Nëse Presidenti e pranon letrën, është e tij. Por dhuratat për një president, gjithmonë i përkasin Shteteve të Bashkuara dhe jo individit në detyrë. I përket njerëzve”, ka thënë drejtori i organizatës, Philip Husemann.

“Kështu që ne shpresojmë që kjo letër të përfundojë në një hapësirë publike, ku të gjithë qytetarët mund ta lexojnë. Mbi të gjitha, mesazhi kryesor është një ‘falënderim i madh’ nga banorët e Berlinit, për Shtetet e Bashkuara dhe njerëzit e saj.”

Shtëpia e Bardhë, nuk i është përgjigjur nëse do ta pranojë atë.

Die Offene Gesellschaft e bleu objektin nga një tregtar në Berlin, i cili kishte në pronësi disa pjesë të murit, pastaj e transportuan me aeroplan për në New York, për ta bartur me veturë deri në Washington.

I financuar tërësisht nga donacionet private, Huseman tha se “shpenzuan një shumë prej pesë shifrash, për të blerë pjesën e Murit dhe për ta transportuar jashtë shtetit”.

Trump insiston në ndërtimin e një muri të “madh dhe të bukur”, të cilin pretendon se do ta financojë vet Meksika. Por, deri më tani, përpjekje e tij i kanë kushtuar banorëve të Shteteve të Bashkuara, më se dhjetë miliardë dollarë.

Deri më tani, disa pjesë të këtij muri kanë arritur të rrënohen dhe plaçkitësit dhe kontrabanduesit kanë arritur ta kalojnë me lehtësi, ndërsa qeveria planifikon të shpenzojë edhe 300 milionë dollarë, për monitorimin e kualitetit të ndërtimit.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel