Shtetet e Bashkuara do të fuqizojnë forcat e tyre që aktualisht mbrojnë fushat e naftës dhe objektet në Sirinë lindore nga grupi terrorist Shteti Islamik, edhe pse po e tërheqin shumicën e trupave.

Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper u tha të premten gazetarëve se SHBA po ndërmarrin disa veprime, për t’i mohuar ISIS-it hyrjen në fushat e naftës.

Ai i bëri komentet pas një serie takimesh me aleatët e NATO-s në Bruksel.

“Ne duam të sigurohemi që ata nuk do të kenë qasje në burimet që mund t’i lejojnë të godasin brenda rajonit, të godasin Evropën dhe Shtetet e Bashkuara,” tha ai. “Kjo do të përfshijë disa forca të mekanizuara”, shtoi zoti Esper.

SHBA mbanin në Sirinë verilindore rreth 1.000 trupa speciale, që punonin gjerësisht me Forcat Demokratike Siriane kryesisht kurde, si pjesë e përpjekjes për të mposhtur ISIS-in në mënyrë të përhershme. Që nga çlirimi i territorit të fundit të mbajtur nga ISIS-i në muajin mars, SHBA dhe forcat kurde ishin përqendruar në spastrimin e celulave të mbetura të Shtetit Islamik dhe në parandalimin e një kryengritjeje.

Por, në fillim të këtij muaji, Presidenti Donald Trump urdhëroi tërheqjen e forcave amerikane, pak përpara një ofensive të Turqisë që synonte spastrimin e rajonit kufitar nga luftëtarët kurdë, të cilët Ankaraja i quan terroristë.

Deklaratat e sotme pasqyrojnë mesazhet e ndryshme lidhur me Sirinë që kanë ardhur këtë javë nga Uashingtoni./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA