Katër të akuzuar për vrasjen e gazetarit sllovak që çoi në dorëheqjen e kryeministrit

22/10/2019 08:59

Të hënën autoritetet sllovake ngritën akuza ndaj një biznesmeni të njohur si dhe tre personave të tjerë të dyshuar për vrasjen vitin e kaluar të një gazetari dhe të fejuarës së tij, ngjarje që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico.

Vrasja vazhdon të turbullojë politikën në vend. Sipërmarrësi me lidhje politike Marian Kocner dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar të tij, u deklaruan të pafajshëm. Një i dyshuar i katërt pranoi se ka qëlluar ndaj gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova.

Ndërkohë një person i pestë ka pranuar se ka ndihmuar për të kryer vrasjen. Ai ka bërë një marrëveshje me prokurorët duke pranuar fajin dhe po shërben si dëshmitar në procesin ndaj katër të tjerëve mbi të cilët rëndojnë akuzat për vrasje.

Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit të shtetit tha në një deklaratë se të katër të dyshuarit mund të përballen me burgim të përjetshëm për gjashtë akuza, përfshirë vrasjen me paramendim. Njoftimi nënkupton përfundimin e fazës hetimore të çështjes, e cila është parë si një provë për policinë sllovake dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Vrasja e Jan Kuciak-ut nxiti demonstrata masive kundër korrupsionit vitin e kaluar dhe detyroi kryeministrin Fico të japë dorëheqjen, pas rreth 12 vitesh në këtë pozicion.

Zbulimi i lidhjeve mes biznesmenit Kocner dhe zyrtarëve të sigurisë të cilat u ekspozuan gjatë hetimit çuan në dorëheqje të tjera gjatë javëve të fundit.

27 vjeçari Jan Kuciak dhe fejuara e tij Martina Kusnirova u qëlluan në shtëpinë e tyre në ndodhej në periferi të kryeqytetit, Bratislavë në shkurt të vitit 2018. Prokurorët thanë se biznesmeni Kocner, subjekt i një materiali investigativ lidhur me një çështje korrupsioni që po përgatiste gazetari Kuciak, kishte porositur vrasjen gjë që biznesmeni e ka mohuar./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA