Anglezët e quajnë “shkrinkflation”, nga fjala “shkrink”, apo “tkurrje”; ky është fenomeni i ri që po hedh rrënjë ngadalë dhe si pa u kuptuar: është mënyra sesi të rritet çmimi i produktit pa i rënë në sy konsumatorit.

Kjo arrihet përmes zvogëlimit të përmasave të produktit, ndërsa çmimi mbetet i pandryshuar.

Kështu pesha e çokollatave bie me 10% pa lëvizur çmimi, pakot e facoletave, nga 10 copa brenda kanë 9, dhe lista vazhdon. Blerësit nuk e kuptojnë që faktikisht, shpenzojnë më shumë, por kjo rritje e maskuar e çmimeve, po e rëndon ngadalë “xhepin” e tyre.

Është e qartë se nëse tubeti përmban 75 ml në vend të 100 ml pastë dhëmbësh, produkti zgjat më pak dhe riblerja është më e shpeshtë.

Pra, në hapësirën prej disa muajsh e gjeni veten duke blerë 2-3 tubeta shtesë pastë dhëmbësh. E njëjta gjë vlen edhe për letrën higjenike: çdo rrotull pakësohet, e megjithatë, ndërsa artikulli vjen me të njëjtin çmim, kostoja e tij është rritur.

Kategoritë e përfshira janë shumë, thonë mediat italiane, duke treguar se ky fenomen mund të vihet re tek ushqimet duke nisur nga drithërat e paketuar e deri tek peshku ton; tek kremërat kozmetike, ilaçi i rrobave, letrat e aluminit apo ato të tejdukshme, uji, birra, pijet freskuese, lëngjet e frutave etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA