Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch po dëshmon të premten përpara komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që po kryejnë hetime në kuadër të procesit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të bashkëpunojë, duke i cilësuar hetimet “jokushtetuese”. Deri më tani Departamenti i Shtetit e ka bllokuar ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland që të paraqitet për të dëshmuar vullnetarisht. Pas këtij zhvillimi, komisionet morën vendim ta thërrasin atë me detyrim.
Zoti Trump vazhdon t’i qëndrojë pozicionit se përmbatja e bisedës së tij telefonike zhvilluar më 25 korrik me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, e cila nxiti hetimet për shkarkim, nuk përbën asnjë problem ligjor.
Një ditë më parë zoti Zelenskiy deklaroi se nuk i është bërë “asnjë shantazh” gjatë telefonatës në të cilën zoti Trump i kërkoi të nisë hetimin ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter. Pas komentit të zotit Zelenskiy udhëheqësi amerikan u tha gazetarëve se presidenti i Ukrainës thjesht konfirmoi atë që ai ka thënë më parë dhe kërkoi që kësaj çështjeje t’i jepet fund.
Zoti Trump pretendon, por pa dhënë asnjë fakt, se gjatë kohës që zoti Biden mbante detyrën e nënëresidentit kishte kërcënuar se do të ndalte ndihmën financiare për Ukrainën, nëse Kievi nuk ndalte hetimin ndaj një kompanie gazi ku Hunter Biden, ishte anëtar bordi.
Të enjten komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve që drejtojnë hetimin, njoftuan se do të thërrasin për të dëshmuar sekretarin e Energjisë Rick Perry si dhe dy bashkëpunëtorë të avokatit të presidentit Rudy Giuliani.
Top Channel