Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi, ishte sot në Durrës pranë disa familjeve të prekura nga tërmeti i fundjavës që shkoi.

Së bashku me përfaqësues të bizneseve të ndryshme dhe kryebashkiaken znj. Valbona Sako, ata shpërndanë ndihma të ndryshme ushqimore, fruta e perime dhe produkte të tjera të domosdoshme. Shumë familje, të cilave iu prishën banesat, janë strehuar përkohësisht në ambientet e Konvaleshencës.

“Gjej rastin të falenderoj të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që u treguan të gatshëm në këtë situatë për të ndihmuar rreth 150 persona që janë strehuar këtu. Sot kemi sjell rreth 3 fugon me mallra të ndryshme. Kjo ndihmë është një shprehje shumë e bukur solidaritetit njerëzor që nuk ka munguar as kësaj radhe. Tërmetet janë emergjenca që lindin aty për ty, nuk i parashikojmë dot. Ne kemi detyrë të përgjigjemi menjëherë”, tha ministri Çuçi.

Më pas ministri dhe kryebashkiakja drekuan së bashku me banorët. Një ditë më parë ministri Çuçi ishte në Shkozet, për të parë nga afër dëmtimet nga tërmeti që kishin pësuar disa banesa të zonës. Në këtë fazë të parë të gjitha strukturat e emergjencave janë mobilizuar për të strehuar banorët dhe për t’iu siguruar gjithë ndihmën e domosdoshme. Ndërkohë nga ana tjetër në terren vijon puna bashkë me pushtetin lokal në vlerësimin dhe përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara në banesa.

FOTO GALERI
11/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA