IN MEMORIAM

Përse vij në Shqipëri? Sepse dua të flas gjuhën e bukur shqipe
Gjuha shqipe ka një pasuri dialektesh dhe lloje të ndryshme të të folurës së saj. Kostandin Kristoforidhi ka qenë një nga njohësit më të shquar.

Në Shqipëri kanë ardhur shumë albanologë, të cilët kanë dhënë vlerësime nga më të lartat për gjuhën shqipe e që me punën e tyre të pashembullt i lanë Shqipërisë një trashëgimi të jashtëzakonshme kombëtare. Studimet e tyre që prej Rilindjes e para saj nuk u ndalën për asnjë periudhë në epoka të ndryshme, duke treguar me kompetencë e zotësi se cila ishte gjuha jonë shqipe dhe dialektet e rralla të saj. Kjo ishte një nga arsyet që i bëri ata të kthehen për ta riparë, studiuar dhe dashuruar atë. Një numër i madh prej tyre erdhën që nga Lufta e Parë Botërore dhe aq e bukur ishte kjo tërheqje ndaj shqipes, sa me vete nuk morën vetëm dijet për një gjuhë të rrallë dhe të lashtë por edhe emocionet që lindën mes një të huaji kurioz për botën e fshehtë të një vendaseje, e cila merrte gjithmone pamje idilike ne shkrimet e tyre.

Albanolog gjerman, gjuhëtar, profesor, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, Wilfried Fidler, kreu studimet e larta në universitetin e Humboldit në Berlin, për sllavistikë dhe filologji të gjuhëve të vjetra të Europës Lindore dhe juglindore në vitin 1955. Punoi në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës Demokratike të Gjermanisë. Ne zhvilluam një bisedë më të, ato ditë të bukura kur ai vizitonte Shqipërinë dhe gjithmonë nuk harronte të fliste me pasion të vecantë për ndjesinë që merrte sa herë vinte këtu. Të thuash me mendje se cfarë i tërheq këta njerëz të mirë të rikthehen këtu, në një tokë jo dhe aq të qetë e me njerëz vazhimisht të vrazhdë.

Fidler është vetëm një nga ata albanologë të fundit që flet me simpati dhe pasion kur bëhet fjalë për një gjuhë të vjetër të gadishullit të Ballkanit, në një kohë kur katedrat e albanologjisë në Austri dhe Gjermani, përjetuan pika të rrezikshme në kufirin e ekzistencës së tyre, në një kohë kur gjuhët e vjetra ballkanike po rrezikojnë zhdukjen edhe nga degët mësimore, duke mos iu kushtuar vëmendja e duhur dhe përkujdesja si një pasuri që s’duhet lëshuar. Aq e rëndësishme është të njohësh gjuhën tënde dhe po aq sa e domosdoshme është dhe të kuptosh ç’pasuri kombëtare përbën ajo.

M. Stafa: Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri? Si tu duk atë kohë Shqipëria dhe shqiptarët?

Wilfried Fidler: Kur erdha këtu për herë të parë në Shqipëri, në vitin ‘55 të shekullit të kaluar mu duk se Shqipëria, ishte një vend shumë i varfër dhe mund të thuhej dhe i prapambetur sigurisht, edhe pse Gjermania nuk ishte në një gjendje të mirë pas luftës. Shqiptarët ishin shumë të përzemërt dhe nuk kisha vështirësi të lidh kontaktet. Në Tiranë, kishte shumë lypës, fëmijë që lypnin, një lek, një lek. Sigurisht nuk mund të krahasohet me gjendjen e sotme dhe Tirana, ishte shumë herë më e vogël se tani, shumë më e vogël. Më duket se kishte 100 a 200 mijë banorë.

M. Stafa: Prof. erdhët në Tiranë për të mbledhur këngë popullore dhe krijove një album me këngë came. Cfarë kishit dëgjuar për to?

Wilfried Fidler: Nuk ishte qëndrimi i parë, ekspedita ishte qëndrimi i dytë. Edhe për camët unë isha vetëm një pjesë e ekspeditës. Isha fare i ri, 22 vjecar dhe nuk kisha eksperiencë të madhe sepse nuk isha drejtori ose drejtuesi i ekspeditës. Këngët e camëve kanë një strukturë më të thjeshtë se strukturat e krahinave të tjera në jug të Shqipërisë, prandaj kemi filluar me kërkimin e materialit, që mund të përpunohej më lehtë, me më pak vështirësi.

Ishte koha e dashurisë së madhe me Bashkimin Sovjetik por dhe me republikat e tjera të Lindjes, që ende ndiqnin rrugën e marksizëm -leninizmit. Nëpër mure lexoheshin parrullat “Rrofte miqësia me BRSS“. Ishte pikërisht kjo periudhë kur nga RDGJ, erdhën në Shqipëri një grup studiuesish albanologë dhe etnologë, që kryen një ekspeditë të gjerë në të gjithë Shqipërinë. Bënë fotografi dhe mblodhën këngë, regjistruan zëra, vajtime të plakave të jugut apo fyejt e Himarës.

Wilfried Fidler ishte vetëm 23 vjec. Fotografitë e realizuara gjatë verës së vitit 1959 kur Fidleri u rikthye në Shqipëri për të studiuar dialektet e veriut u kryen në kushte shumë të vështira. Ata shkuan në fshatin më të largët ku ende s‘kish shkuar drita elektrike. Por e veshtirë sakaq ishte dhe situata politike sepse për shkak të fotove në një dasëm rome, studiuesit të ri iu desh që të paraqitej në polici për t‘iu përgjigjur disa pyetjeve. Sipas vijës së PPSH-së, duhet të fotografohej vetëm ana më e bukur e Shqipërisë. Pas ekspeditës duket që politika kish ndryshuar pasi albanologët e rinj do të botonin vetëm një vëllim nga tri vëllime të projektuara me këngët e labërisë, toskërisë dhe Camërisë. Vëllimi me këngët came do të kish fatin e publikimit. Pas prishjes së marrëdhënies mes dy vendve ky projekt mbeti pezull.

Wilfried Fidler: Ne kishim në mend të botonim materialin e ekspeditës. Mblodhëm rreth 600 këngë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë së Jugut. Edhe vëllimi për camët është gjëja e rastit. Janë vetëm 30 dhe është pothuajse i gjithë materiali që kemi mbledhur për camët. Dhe fakti që nuk janë botuar i detyrohet faktit që shtetet nuk kishin më lidhje të mira. Prandaj nuk e kemi vazhduar, por kishim ndërmend ta botonim.

Shqipëria nuk na e dha pëlqimin njëherë për botimin e këngëve të tjera dhe vec kësaj ne kishim lënë këtë detyrë që gjysmën ta përpunonte pala shqiptare dhe gjysmën tjetër pala gjermane. Meqënëse nuk kishim më lidhje, nuk dinim se cfarë do të bëhej këtu dhe kolegët e Shqipërisë nuk dinin se cfarë bënim ne. E kuptoni tani? Ishte vërtet katastrofë! Për ne tipari kryesor i ekspeditës ishte fakti se këngët e Shqipërisë së Jugut këndohen në mënyrë polifonike dhe interesimi i muzikologëve ishte që të klasifikoheshin dhe të gjendeshin, të gjitha tipet e polifonisë popullore që ekzistonte këtu. D.m.th. edhe botimi është një rast i vecantë se mund të përpunoheshin më lehtë se këngët e tjera.

Albanologu Wilfried Fidler punoi në grupin e ballkanologjisë në Institutin e Gjuhësisë së Akademisë së Republikës Demokratike Gjermane ku vijoi të merret me gjuhën shqipe. Fusha kryesore e punës ka qenë sistemi gramatikor i gjuhës shqipe dhe shqipja si gjuhë ballkanike. Ka botuar një varg artikujsh e studimesh dhe në vitin 1988 boton vepren “Gramatikë e gjuhës shqipe“ në bashkëpunim me albanologen Oda Buchholz. Dorëshkrimi i W. Fiedler-it “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” është një monografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Në mbi 800 faqet e dorëshkrimit, që nuk ka të ngjashëm në tërë albanologjinë, janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe. Duke botuar këtë libër, Fiedler në fakt ka bërë një monografi shumë të gjerë për gjuhën e librit të parë shqip, pas kryeveprës së Çabej. Monografia e Wilfried Fiedler për foljet në veprën e Buzukut pasqyron shkallën më të lartë të njohjeve për këto çështje në fushën e albanologjisë.

M. Stafa: Cfarë të tërhoqi në gjuhën shqipe? Kam dëgjuar nga të huaj që është një gjuhë e vështirë…

W. Fidler: Nuk mund të thuhet se është më e vështirë se gjuhët e tjera. Sipas mendimit tim, cdo gjuhë ka vështirësitë e veta. Vështirësia kryesore e shqipes së atëhershme ishte se nuk ekzistonte një shqipe standarte. Kuptohet lehtë nëse nuk ekziston një standart si mund ta mësosh atë? Gjuha që përdorni tani në media, edhe këtu edhe në Prishtinë megjithë ndryshimet që ka, në tërësi është një gjuhë.

M. Stafa: Në lëmin e përkthimeve keni përkthyer disa libra të Ismail Kadaresë në gjermanisht, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Një vëllim tregimesh të tij, por dhe një përmbledhje poezish të Martin Camajt dhe një tjetër nga Ali Podrimja dhe Sabri Hamiti. Cfare kuptohej nga gjenerali i Kadaresë për Shqipërinë atëherë? Si ishin poezitë e Podrimes dhe Hamitit ?

W. Fidler: Kadareja ka një teknikë, që gjithmonë është në kundërvënie të kohërave. Edhe në këtë vepër ndoshta ka ndjekur këtë parim në mënyrën më bindëse. Është një vepër vërtet e letërsisë botërore dhe mund të thuhet se ndaj ka mbetur libri i tij më i mirë. Tek ne, kishte paragjykime të mëdha sepse gjermanët e dinin Shqipërinë që quhej vend i shqiptarëve nga një shkrimtar gjerman që asnjëherë nuk ka qenë këtu në Ballkan, quhej Karl Majer. Ai është tregimtar i mirë, por ai mendon se të gjithë këtu flisnin turqisht. Ju e dini se nuk ka qenë kështu as në shek. e 19-të.

Ju e dini se në Jugosllavi atëherë lejoheshin stile që për Shqipërine duhej të kishin qenë të pamundura. Prandaj edhe une mbaj mend se në Kosovë kishte diskutime të mëdha, a ka një apo dy letërsi. Sigurisht, që ka një letërsi por nga ana tjetër ndahen në dy degë; kuptohet se përse as këto të Hamitit me duket se nuk mund të ishin botuar këtu. Ne kishim pastaj lidhje më të ngushta me Kosovën sesa me Shqipërine. Është pak e vështirë, se ne vetë nuk e dinim a nuk donte Shqipëria që ne të hynim apo jo? Kurse në Jugosllavi nuk kishte vështirësi.

M. Stafa: Si vinin librat te juve, Shqiperia ishte e mbyllur.

W. Fiedler: Me postë, posta punonte. Ne merrnim nganjëherë revistat e Shqipërise, dhe kur i kishim i dërgonim edhe në Kosovë. Nuk do ta besoni sepse mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk kish marrëdhënie. Mund t‘iu tregoj një gjë pak të cuditshme. Në Kongresin e Sofjes, tani nuk e mbaj mend ishte në vitet ‘70 ndoshta ose ’60. Për herë të parë u takuan shqiptarët e Shqipërise me ata të Kosovës dhe mua më kishin si ndërmjetës. Edhe kosovarët ishin shumë të interesuar të lidhnin kontaktet me shqiptarët londinezë, me kolegët e Shqipërisë dhe kishin pak frikë. Dhe kështu më thanë mua, na prezanto p.sh. me zotin Demiraj dhe kështu shkoi.

M. Stafa: Gjuha shqipe ka shumë dialekte por ajo që njihet zyrtarisht është gjuha letrare që ka si bazë gjuhën shqipe të toskërishtes, të cilën ju e flisni shumë pastër. Nga ndryshon gegnishtja me toskërishten?

W. Fiedler: Unë kam filluar të mësoj gegërisht dhe kam folur atëherë në gegërisht sepse metodat që ekzistonin, ishin vërtet shumë të dobëta por ekzistonin. Pastaj më thonin shqiptarët, uh, sa mirë e flisni ju edhe gegërishten edhe toskërishten. Por ishte një përzierje dhe është një gjë që nuk shkon. Unë me zor mund të flisja gegërisht, edhe tani por nuk do të ishte një gegërishte e bukur.

M. Stafa: Pse vazhdimisht hapen debate lidhur me standartin e gjuhës shqipe?

W. Fiedler: Sipas mendimit, nuk ka problem. Kush ka dëshirë të shkruajë gegërisht, le ta bëjë, le ta shkruajë. Shkodranisht, kosovarisht, nëse është në gjendje por le të vlejë gjuha e njehsuar, si gjuha shqipe për të huajt. P.sh. kur duan të mësojnë, nuk mund të mësohen 3- 4 gjuhë të ndryshme, është e pamundur ndaj dhe standartizimi është i domosdoshëm, sidomos për të huajt.

M. Stafa: Përse keni qejf të gjithë të vini në Shqipëri?

W. Fiedler: Si të mos kem qejf, unë kam shfrytëzuar cdo mundësi, që t’i zgjeroj njohuritë e mia. Sic e dini, flas pak më ngadalë nga c’flisja më përpara. Nuk duhet të harrojmë që shqipja e standardizuar është një shqipe që duhet ruajtur qoftë dhe për të huajt. Një shqipe e bukur dhe e pasur, si dhe gjuhët e tjera janë kur ne kërkojmë t’i mësojmë ato. Përse nuk ka dy anglishte? Dy apo më shumë gjermanishteje ? Jo, sepse vec atë njihni ju. Ajo që ju njihni është një dhe e vetme për ty, për mua e për të huajin. Ndaj ruajtja e standartes së gjuhës i bën mirë vendasve, i bën mirë gjuhës vetë por i bën mirë dhe krenarisë kombëtare.

Top Channel