Shqipëria humbi 4-1 përballë kampionëve të botës në futboll, duke iu larguar ëndrrës për kualifikimin në Europianin 2020. Kuqezinjtë provuan të luftojnë por bënë shumë pak në Sen Deni’ kundër Francës, në një ndeshje që mori përmasa komike me ngatërrimin e himnit shqiptar, e më pas fusha dha verdiktin më të drejtë, 3 pikë për më të fortët.

Sfida në Stad dë Frons nisi me vonesë për një problem teknik. kur pritej intonimi i himnit shqiptar, u dëgjuan nota të tjera aspak të zakonshme për kuqezinjtë që nuk nisën lojën deri sa gabimi u korrigjua. Për të kompletuar gafën, spikeri i impiantit parizien ngatërroi edhe emrin e kombëtares tonë me Armeninë.

Sakaq në fushë u deshën vetëm 8 minuta lojë për të rrëzuar fortesën e kuqezinjve. Kingsli Koman dërgoi sferën në rrjetë por punën më të madhe në aksionin e avntazhit e mori përsipër Varan. Shqipëria dështoi për tu përgjigjur dhe manovrat e trajnerit me Roshin i ngjanë më shumë një skeme kaotike sesa planit për të ndalur kampionët. Goli i dytë i Francës erdhi me një finish brenda zonës nga Olivje’ Zhiru’.

Fraksioni i parë kishte akoma më keq për të ofruar te tifozët miq pasi Mërgim Mavraj shkaktoi penallti. Por Antuan Grizman nga pika e bardhë u ndal nga tranversa.

Pas pushimit, Gjelat kishin të tjerë raste për të rënduar bilancin e miqve, por e vonuan goditjen e nokautit deri 20 minuta nga fundi. Kombinimi i Grizman me Koman, kapi sërish në befasi mbrojtjen shqiptare me golin e tretë, një aksion që tregoi vlerat e vendasve pavarësisht mungesave në sulm. Gabimet ishin radhë dhe në rrjetën finale me autor Ikone, që vallëzoi mes mbrojtjes para se të shënonte me të majtën. I vetmi ngushëllim në mbrëmjen pariziene ishte një penallti e fituar me mund nga Cikalleshi, i vetmi lojtar që arriti të mposhtë portierin Loris.

Kaq ishte. Shqipëria del pa pikë nga transferta e Parisit dhe me 3 ekipe mbi të në renditje, duhet të mësojë një tjetër rrugë për kualifikimin. Prova e radhës është Islanda. Franca duhet ndërkohë të mësojë se cdo shtet ka një himn të ndryshëm, e duhet të gjejë rrugën të shkëputet e para, në renditjen që kryeson me Islandën.

Aurel Boriçi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA