Një natë ëndrrash për Mançinin, eliminoi Inzaghin në Ligën e Kampionëve dhe ndërkohë…u shpall kampion pa luajtur fare
Legjenda braziliane Ronaldinho rikthehet në qendër të vëmendjes përmes një miniserie dokumentare të publikuar nga Netflix, ku zbulohet jo vetëm madhështia e tij në fushë, por edhe jeta e trazuar jashtë saj. Dokumentari “Ronaldinho Gaúcho: el único e inigualable” pritet të publikohet më 16 prill dhe sjell histori të panjohura nga karriera e ikonës braziliane.
Në këtë projekt, Ronaldinho rrëfen me sinqeritet për lidhjen e tij me futbollin dhe mënyrën si e përjetonte lojën: “Isha shumë i lumtur duke luajtur dhe njerëzit thoshin se ishin të lumtur duke më parë mua të luaja”. Edhe figura të mëdha si Lionel Messi kanë pranuar ndikimin e tij, me argjentinasin që deklaron: “Ndoshta ai ishte më i rëndësishëm për mua sesa unë për të”.
Vetë Ronaldinho nuk e ka fshehur kurrë vetëbesimin e tij: “E sheh gjithë këtë që quhet botë? Unë jam më i miri në të”. Një talent që, siç thotë Neymar, bëri që “bota të dashurohej me të”.
Megjithatë, dokumentari nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes. Jeta e natës dhe festat ndikuan ndjeshëm në karrierën e tij. Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Fernández, zbulon një episod të bujshëm: “Në një ndeshje që duhej të luante, ai mbërriti në orën 6-7 të mëngjesit për të fjetur”.
Një tjetër moment i vështirë i jetës së Ronaldinhos ishte arrestimi në Paraguay, të cilin ai e konsideron si periudhën më të errët. Ish-futbollisti u ndalua për përdorim dokumentesh false, një ngjarje që tronditi botën e sportit. Në dokumentar marrin pjesë edhe emra të mëdhenj si Ronaldo Nazário, Roberto Carlos, Carles Puyol dhe shumë të tjerë, duke ndërtuar një pasqyrë të plotë të jetës dhe karrierës së një prej futbollistëve më karizmatikë në histori.
Top Channel