Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin “twitter” sekretari Pompeo theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqendrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen reciproke.

Sipas zëdhënëses, Sekretari Pompeo ritheksoi që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me nj╒ra tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për marrëveshjen.

Presidenti serb, shkroi në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tash, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe dhe “për këtë nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi presidenti serb.

Ai i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se me sekretarin Pompeo ka biseduar edhe “për rëndësinë e mbrojtjes së kishave e manastireve në Kosovë” dhe se Serbia është e gatshme “pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët. Nuk është me rëndësi çmimi politik që duhet paguar, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë të bëjnë me realitetin, por atë që lidhte me mitet tona. I thashë se jemi të gatshëm të bisedojmë dhe e kuptojmë shumë mirë që nëse ndonjëherë do të arrihet ndonjë zgjidhje, ajo nuk duhet dhe nuk guxon të përmbushë kërkesat njërës palë”, tha ai.

Presidenti serb tha se beson që amerikanët e kuptojnë që “nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dy popujt më të mëdhenj, varet e ardhmja e rajonit”.

Bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA