Një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”. Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 do të mbërrijë në brigjet shqiptare.

Në vendin tonë, ndalesa e parë e anijes katariane me vela do të jetë Saranda më 20 gusht 2019, ku pritet të mbërrijë në portin e qytetit bregdetar shqiptar në orën 6 pasdite, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe të Katarit. Me këtë rast, do të organizohet një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit. Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre do t’i shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”.

Pas qëndrimit dy ditor në Sarandë, anija do të niset për në qytetin e Durrësit dhe do të arrijë në portin e tij më 24 Gusht në orën 6 pasdite. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, do të ketë një pritje dhe disa aktivitete argëtuese me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.

Më datë 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për dy ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktiviteteve kulturore dhe sportive në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”.

Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit. Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë. Konkretisht destinacionet e tij për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA