Pas Thumanë-Kashar, presidenti i republikës ka rrëzuar dhe kontratën e dytë koncesionare të miratuar nga Kuvendi, atë të rrugës Orikum-Dukat.
Në vendimin për kthimin e ligjit, kreu i shtetit argumenton se koncesioni është miratuar në kundërshtim të hapur me interesin e qytetarëve dhe përmban të paktën 12 shkelje të rënda ligjore nga rritja e kostos deri te votimi i kontratës pa marrë miratimin financar të ministrisë së financave.
“Kjo është shkelje e rëndë e procedurës, ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje, që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar deri te vendimmarrja e Këshillit të Ministrave.” deklaroi Meta.
Sipas kreut të shtetit, në kushtet e kësaj paligjshmërie të rëndë, Ministria e Energjisë në rolin e autoritetit kontraktor dhe më pas këshilli i ministrave kanë futur në lojë kuvendin si mburojë ligjore për t’u shpëtuar përgjegjësive.
“Me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces. “ shtoi presidenti.
Orikum-Dukat është një rrugë me gjatësi 14 kilometra. Fillimisht ajo u programua me një kosto prej 50 milionë euro, por së bashku me interesat që qeveria do i paguajë kompanisë kostoja u rrit në 67.3 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.
Sipas presidenti kjo rritje e kostot është kryer në paligjshmëri dhe ka deformuar të gjithë procesin konkurrues. Orikum-Dukat është koncesioni i dytë i madh që presidenti kthen për rishqyrtim, pas atij të Thumanë-Kashar një ditë më parë. Sipas kreut të shtetit të dy projektet të cilat do të kushtojnë rreth 337 milionë euro me tvsh kanë rritje të jashtëligjshme të kostove dhe janë miratuar në mungesë të plotë transparence.
Top Channel