Më shumë se 20 mijë studentë nga universitetet e Tiranës janë pajisur tanimë me Kartën e Studentit, duke përfituar mbi 100 shërbime publike dhe private falas ose me çmime të reduktuara. Pjesë e këtij procesi, i cili ndodh për herë të parë në Shqipëri, u bënë edhe studentët e Akademisë së Sigurisë në Tiranë, të cilët ashtu si studentët e tjerë, kanë nisur prej disa javësh të pajisen me kartën e studentit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj dhe Drejtori i Përgjithshëm, Bilbil Mema, u shpreh i kënaqur që gati gjysma e studentëve të Akademisë janë pajisur me Kartën e Studentit.
“Besoj se deri nga mesi i korrikut do e kemi përfunduar pajisjen e studentëve tuaj me karta, ndërkohë që në total në gjithë Tiranën kemi shpërndarë mbi 20 mijë copë. Sot, shumë kompani, duke filluar nga qendrat e mëdha të shoppingut, deri tek dyqanet e vogla të kancelarisë, madje edhe ndonjë berber apo floktore, i janë bashkuar nismës, duke vendosur një stiker te dritarja, për të treguar se e pranojnë kartën e studentit dhe aty ka ulje për ta. 20% në një vend, 30% në një vend tjetër, kur je student, çdo qindarkë vjen”, tha Veliaj.
Ai falënderoi të gjitha institucionet dhe subjektet private që i janë bashkuar kësaj nisme dhe kanë ofruar shërbimet e tyre falas ose me ulje për studentët. “Dua t’i falënderoj të gjithë privatët që na janë bashkuar. Mbi 100 shërbime private e publike e kanë kompletuar ofertën e kartës. Jam shumë i lumtur që Bashkia e Tiranës e ofron këtë shërbim edhe për studentët e Akademisë së Sigurisë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se falë punës së përditshme të forcave të rendit dhe të oficerëve që nxjerr Akademia, Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë dhe me nivel kriminaliteti shumë të ulët. “Tirana sot është padyshim qyteti më i sigurt në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të sigurta në Europë. Shumë prej kolegëve me të cilët bisedoj, kur u japim statistikat, habiten sepse duke dëgjuar politikanët që tipikisht i hapin vetëm namin e keq vendit, mendojnë se këtu ndodhin çudira. Ndaj, dua t’ju falenderoj, se ndoshta, pasi studentët veshin uniformën e dalin në terren, nuk e merrni feedback-un e plotë, por unë që jam në anën tjetër të informacionit, ku qytetet klasifikohen për çështje të sigurisë, doja t’ju falënderoja publikisht”, tha Veliaj.
Top Channel