Lënda me zgjedhje është provimi i fundit që i janë nënshtruar mbi 36 mijë maturantë në të gjithë vendin, i cili mbyll ciklin e provimeve të maturës për t’iu hapur dyert më tej maturantëve drejt Universitetit.
Në listën me 8 lëndë, maturantët duhet të zgjidhnin vetëm një prej tyre. Risi tjetër kjo e maturës 2019 ku nuk pati dy provime lëndë me zgjedhje si vitet e kaluara.
Edhe këtë të hënë nuk munguan akuzat e opozitës për shitjen e tezës së provimit. Në Facebook, ish deputetja Albana Vokshi publikoi pyetjet e disa prej lëndëve ku testoheshin maturantët. Ndërkohë që brenda 15 ditësh pas përfundimit të çdo provimi duhet të dalin rezultatet. Por sipas nxënësve kjo kohë duhej shkurtuar kur korrigjimi për pyetjet me alternative bëhet elektronikisht.
Në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore janë publikuar notat e provimit të gjuhës së huaj, priten që nesër të dalin rezultatet e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Brenda 15 ditëve nga 17 qershori, data që u zhvillua provimi i matematikës, duhet të dalin rezultatet e tij.
Ndërsa pikët e provimit të sotëm, të lëndës me zgjedhje duhet të publikohen deri më 9 korrik.
Top Channel